Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO, Stoltenberg bisedë me Erdogan: Zgjerimi i aleancës, i rëndësishëm

Kundërshtimet e Ankarasë për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO u diskutuan nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg dhe Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan.
Me një postim në Twitter, ku dha detaje mbi bisedën e zhvilluar me Erdogan, Stoltenberg tha se shqetësimet e sigurisë të të gjithë aleatëve të NATO duhet të merren parasysh, por thekson se zgjerimi i aleancës është i rëndësishëm.
“Kam folur me Presidentin Tajip Erdogan të aleatit tonë të nderuar, Turqisë, për rëndësinë e dyerve të hapura të NATO-s dhe kërkesat për anëtarësim nga Finlanda dhe Suedia. Ne jemi dakord që shqetësimet e sigurisë të të gjithë aleatëve duhet të merren parasysh dhe se bisedimet duhet të vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje”, shkruan Jens Stoltenberg .
Pranimi i një anëtari të ri në NATO kërkon unanimitet nga të gjitha shtetet anëtare të Aleancës. Aleanca bën thirrje për nënshkrimin e një protokolli pranimi deri në mes të qershorit, në mënyrë që Finlanda dhe Suedia të mund të marrin pjesë si vëzhgues në Samitin e NATO-s në Madrid në fund të qershorit.
Turqia ka kundërshtuar ashpër hyrjen e dy vendeve skandinave në NATO, duke kërkuar që ata të heqin embargon e armëve ndaj tyre, dhe në veçanti që Suedia të ndalojë ofrimin e strehimit për anëtarët e PKK-së, të cilët Ankaraja i konsideron një “organizatë terroriste”.
Të hënën, Ministria turke e Drejtësisë kërkoi ekstradimin e gjashtë anëtarëve të dyshuar të PKK nga Finlanda dhe njëmbëdhjetë nga Suedia. Së bashku me disa individë të cilët Turqia i akuzon se mbështesin klerikun e mërguar në SHBA, Fethullah Gulen , të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrimin e përpjekjes për grusht shteti të vitit 2016, Turqia kërkon gjithsej 12 persona nga Finlanda dhe 21 nga Suedia./ CNN.gr
/rtsh.al/