Anëtarësimi në BE, Çekia: Shqipëria ka bërë progres
Pas dorëzimit të kërkesës për statusin e vendit kandidat, monitorimi i BE-së për Shqipërinë do të jetë i shumëfishuar. Z. Adam Finjos, konsulli çek i vendit që ka presidencën e radhës deri në fund të këtij muaji, vuri dje në dukje para një audience akademikësh evropianë të mbledhur në Tiranë, se Shqipëria ka bërë progres në proceset e veta integruese dhe aplikimi ka pasur mbështetjen e plotë të Çekisë. Diplomati Adam Finjos i njohu ata me faktin se reformat e qeverisjes së djathtë janë një investim shumë i mirë për vetë shqiptarët. "Ishte vendim historik për qeverinë shqiptare aplikimi për statusin e vendit kandidat e mbi të gjitha gjatë presidencës sonë. Që prej janarit 2009 Shqipëria ka arritur një progres në rrugën e saj integruese. Pas NATO-s, sfidat janë më të larta për ju, po ashtu reformat do të monitorohen me më shumë vëmendje. Para së gjithash, këto reforma janë investim për ju", - tha Adam Finjos, konsull çek. Këtë deklaratë, konsulli çek i bëri gjatë prezantimit të akademisë evropiane. Një shkollë verore në formën e masterit, e cila ka për qëllim krijimin e një platforme informimi, studimi, debatesh e trajnimi për Bashkimin Evropian në tërësi dhe procesin e integrimit të vendit tonë në këtë strukturë në veçanti. Projekti financohet nga Komisioni Evropian dhe u organizua nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare. Sesioni i parë njëjavor i Akademisë Evropiane, që do të mbahet në datat 8-12 qershor, synon që përmes leksioneve e seminareve praktikë të ofrojë njohuri mbi BE-në dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, për individët nga administrata publike, media, organizatat e shoqërisë civile dhe akademia. Diplomati çek, Adam Finjos, vlerësoi proceset integruese të Shqipërisë dhe shprehu bindjen se përmes tyre ajo do të jetë e suksesshme për arritjen e momentit final, atë të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Para disa javësh, Kryeministri Sali Berisha i dorëzoi Presidentit të radhës së BE-së, Kryeministrit të Çekisë, Mirek Topolanek, kërkesën zyrtare të Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Ceremonia u zhvillua në Pragë (Çeki), vend i cili mban kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian. Përmes letrës drejtuar Presidentit të Këshillit të BE-së, Kryeministrit të Çekisë, Mirek Topolanek, në emër të Republikës së Shqipërisë në vijim të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për integrimin e Shqipërisë në BE, të datës 29 janar 2009, mbështetur në aspiratën dhe vullnetin mbizotërues të popullit shqiptar për t'u bërë pjesë e BE-së, në përputhje me nenin 49 të Traktatit të BE-së, i paraqiti aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në BE. Gjatë ceremonisë, Kryeministri çek, Mirek Topolanek, nuk hezitoi t’i shprehte delegacionit shqiptar faktin se Shqipërinë e ndryshoi Kryeministri i suksesshëm Sali Berisha. Sipas Topolanek-ut, nën drejtimin e Berishës, Shqipëria ka bërë ndryshime të jashtëzakonshme dhe të mahnitshme. “Shqipëria ka kaluar përmes ndryshimeve të jashtëzakonshme, të mahnitshme dhe unë jam shumë i lumtur që shumica e këtyre ndryshimeve janë bërë nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha”, - deklaroi Kryeministri çek. Z. Topolanek shprehu besimin se Shqipëria po hyn në rrugën e saj afatmesme dhe në këtë rrugë ëndrra e shqiptarëve do të bëhet realitet. Ai garantoi se Republika Çeke do të ndihmojë Shqipërinë edhe pas përfundimit të presidencës.