E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropianët dënojnë të majtën

Kriza ekonomike, në vend që të shtronte pikëpyetje për të djathtën në pushtet në disa vende, përkundrazi ka çimentosur mbështetjen e qytetarëve. Në zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian (PE) ka triumfuar e djathta, duke shënuar humbje të mëdha për të majtët në shumicën e vendeve, me përjashtim të fqinjit tonë, Greqisë, ku PASOK-u kryeson. Megjithëse janë zhvilluar zgjedhjet për Parlamentin Evropian, kjo votë shihet si një votë domethënëse për qeveritë e çdo vendi. Ndërkohë shqetësim ka krijuar për udhëheqësit e unionit pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, duke treguar një apati të qytetarëve evropianë për institucionet mbikombëtare. Pjesëmarrja në këto zgjedhje parashikohet të ketë qenë pak më shumë se 43%, që është pjesëmarrja më e ulët në historinë e zgjedhjeve.

Rezultatet

375 milionë qytetarë nga 27 vende të BE-së kanë pasur në fundjavë mundësinë të votojnë për 736 vendet e Parlamentit Evropian. Konservatorët fituan numrin më të madh të votave, ndërsa socialdemokratët shënuan rënie. Sipas rezultateve paraprake të votimeve, që u mbajtën në disa ditë, partitë konservatore kanë shënuar sukses. Siç raporton BBC, është tashmë e qartë se pavarësisht krizës ekonomike që ka mbërthyer vendet e BE-së, partitë konservatore në pushtet në Francë, Gjermani dhe Itali, kanë dalë mirë në këto zgjedhje. Ndërsa në kontrast me to, partitë e qendrës së majtë, në Britani dhe Spanjë, nuk kanë dalë mirë. Karakteristikat kryesore të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian janë humbja e votave prej partive qeveritare, rritja e numrit të votave për partitë e djathta ekstremiste dhe pjesëmarrja e ulët në votime. Votimet nisën të enjten, më 4 qershor në Holandë dhe në Britaninë e Madhe, të premten dhe të shtunën pasuan votimet në gjashtë vende të tjera anëtare. Ndërsa të dielën u votua në 19 vende. Në marrjen e vendimit nga zgjedhësit, kësaj radhe ka ndikuar shumë kriza ekonomike. Vota ka shkuar kryesisht për qeveritë në pushtet. Britania e Madhe është një shembull më vete, pas skandaleve të fundit me shpenzimet e politikanëve dhe dorëheqjet e shumë ministrave. Laburistët duket se nuk gëzojnë më mbështetje në vend. Në shumë vende, rezultatet e zgjedhjeve nuk kanë të bëjnë me politikën ndaj Evropës, por me politikën brenda vendit. Me shumë vëmendje u prit edhe rezultati në Irlandë, për shkak të dështimit në referendumin e fundit të Marrëveshjes së Lisbonës. Opozita shënoi fitore ndaj partisë në pushtet. Mirëpo në përgjithësi, në BE kanë ndryshuar shumë pak gjëra. Konservatorët mbeten më të fuqishmit, ndërsa në vend të dytë janë socialistët dhe socialdemokratët, ndonëse kanë shënuar humbje të mëdha.

Fitore dhe për ekstremistët

Një rol më të fuqishëm pas këtyre zgjedhjeve, me siguri që do të kenë ekstremistët. Partia e ekstremit të djathtë, kundër-emigracionit, Partia Kombëtare Britanike (BNP) ka fituar për herë të parë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian mes sugjerimeve se partitë e ekstremit të djathtë kanë marrë më shumë vota në disa vende. Në Holandë euroskeptikët, partia Anti-Islamike e politikanit kontraversial, Geert Wilders, doli e dyta në zgjedhje. Në Austri, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë e ka dyfishuar prezencën e saj. Partitë e krahut të djathtë po ashtu duket se kanë dalë mirë në Hungari dhe Finlandë. Udhëheqësi i partisë nacionaliste britanike, Nick Griffin, e ka mirëpritur rezultatin dhe tha se britanikët e bardhë nuk duan që të diskriminohen më. Një ministër i kabinetit, Andy Burnham, e quajti këtë një moment të trishtuar të politikës britanike. Kryetari i Parlamentit të Evropës, Hans-Gert Pottering, ka frikë se bashkëpunimi me ta do të jetë i vështirë. "Me kënaqësi më duhet të them se partitë pro-evropiane kanë fituar një shumicë të madhe. Nga partitë që janë kundër Evropës pres që në Parlamentin e Evropës të jenë konstruktive dhe të bashkëpunojnë. Urime për të gjithë deputetët e rinj", - theksoi Hans-Gert Pottering. Megjithatë, suksesi i skeptikëve evropianë ka shkaktuar një lloj shoku tek deputetët e deritanishëm në Parlamentin e Evropës, por kjo është një çështje që duhet të analizohet në ditët e ardhshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›