E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshen, Berisha e Rama, miting në të njëjtën ditë

Rama: "Politika e vjetër mbaroi, një politikë e re për njerëzit do të hapë një faqe të re"


Berisha: "Mirditë europiane do të thotë që të gjitha rrugët e komunave të jenë të asfaltuara"


MIRDITË - Brenda pak orëve, dy krerët e politikës shqiptare, Sali Berisha dhe Edi Rama, kanë mësyrë në sheshin "Abat Doçi" të qytetit të Rrëshenit, për të kërkuar votat e mirditorëve për zgjedhjet e 28 qershorit. Në pikun e të nxehtit ka qenë kryetari i opozitës, Edi Rama, që ka marrë pjesë në tubimin elektoral, ku pjesëmarrësit kanë preferuar të sfidojnë të nxehtin në mënyrë entuziaste.


"Edhe për Mirditën, ashtu si edhe për gjithë Shqipërinë, po afron dita e një ndryshimi të madh, një ndryshimi të shumëpritur. Edhe 20 ditë për t'u ndarë nga politika e vjetër e së shkuarës.


Edhe 20 ditë për të ndërtuar së bashku, për të ndërtuar politikën e re me njerëzit dhe për njerëzit. Edhe 20 ditë për të shkuar së bashku përtej së majtës e së djathtës, për një shtet për të gjithë shqiptarët, për një shtet që u jep ujë, drita, punë, rend që të gjithëve. Një rend që mbron pasuritë tona të përbashkëta dhe pronat e dinjitetin e secilit.


Politika e vjetër mbaroi, një politikë e re për njerëzit do të hapë një faqe të re të historisë sonë të përbashkët",- tha Rama, i cili ka prezantuar kandidatët e Qarkut të Lezhës. Ndërsa në po të njëjtën ditë, por pasdite, ka mbërritur në sheshin "Abat Doci" të qytetit të Rrëshenit, edhe Kryeministri Sali Berisha. Kryefjala e këtij të fundit ka qenë ndërtimi i rrugës Rrëshen-Kalimash.


Ai tha se mbi 2000 qytetarë të Mirditës janë punësuar në këtë rrugë, ndërkohë që gjatë katër viteve që vijnë, Mirdita do të përfitojë projekte edhe më të mëdha.


Ai premtoi se gjatë viteve të ardhshme do të ketë rritje të tjera të pensioneve. "Ato që kemi realizuar gjatë këtyre katër viteve janë bazë e sigurt për katër vitet e ardhshme, që të ndërtojmë Mirditën europiane, Shqipërinë europiane.


Mirditë europiane do të thotë që të gjitha rrugët e komunave të jenë të asfaltuara, nga Lura në Fan, nga Fani në Skuraj",- tha Berisha. Berisha u kërkoi mirditorëve që katër vitet që do vijnë, të mbështesin PD-në, sepse kjo e fundit, sipas tij, do të sigurojë anëtarësim të plotë në BE. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi kryetarin e opozitës armik të rrugës Durrës-Kukës.


Berisha u shpreh edhe njëherë se është i gatshëm që të mbledhë Parlamentin për të ndryshuar ligjin, me qëllim që kryetari i opozitës, Edi Rama të hyjë në Parlament. Kryeministri kërkoi gjithashtu që qytetarët e Mirditës të marrin kartat e identitetit, pasi, sipas tij, ato e barazojnë qytetarin shqiptar me qytetarët e vendeve më të përparuara europiane.


Reagimi

Tahiri: Bregu flet "kodra pas bregut"


TIRANË- Kandidati socialist për deputet në Qarkun e Tiranës, Saimir Tahiri, reagoi dje ndaj qëndrimit të mbajtur nga zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, pas sondazhit të publikuar dy ditë më parë nga Qendra për Kërkim dhe Zhvillim (QKZH) dhe Instituti për Studime Publike e Ligjore (ISPL). "Zonja Bregu doli sot si kodra pas bregut që të fshehë zëvendësin e saj dhe Imamin e Sali Berishës, të cilët qëndrojnë pas atij sondazhit qesharak të ditës së djeshme.


Këta njerëz pa fantazi dhe pa skrupuj që na qeverisin, do ta kuptojnë pas 20 ditësh se çfarë mendon populli për ta, por ndërkohë duhet ta harrojnë që do e marrin popullin peng me sondazhe të manipuluara e të programuara në Ministrinë e Brendshme. Asnjë votë nuk do e çojnë dot në thes jashtë vullnetit të popullit",- tha Tahiri.

Loja e sondazheve

Bregu: Sondazhi u realizua nga kunati i Kodhelit


TIRANË- Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, nuk ka bërë komente mbi qëndrimin e dy ditëve më parë të Partisë Socialiste, ku ndër të tjera thuhej se, sondazhi, ku dilte fituese PD-ja me 9 pikë, ishte përgatitur nga dy qendra shqiptare, njëra e bashkëshortes së zv/ministrit të Integrimit, Albert Gajo, dhe tjetra nga një qendër që ka kryetar bordi shefin e kabinetit të qeverisë, Arben Imami.


"Ne nuk kemi dashur të bëjmë komente për sondazhin, sepse ju e dini që sondazhet janë të pavarura, por besoj që është qesharake të pretendosh, që drejtuesi kryesor i organizatës, i cili ka realizuar sondazhin dhe është zoti Gent Ibrahimi, i kërkoj ndjesë që po i përmend emrin, por në fakt Genti nuk është i PD-së, as nuk anon djathtas, por është kunati i zonjës Kodheli dhe nuk besoj që, qoftë edhe për traditë familjare, ka ndonjë tendencë për të votuar djathtas",- tha Bregu.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›