E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëzhguesit: Administrata po përdoret për fushatë politike

Raporti citon se janë marrë një numër i madh deklaratash për preson mbi punonjësit e sektorit publik


TIRANË- Misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, në raportin e dytë të ndërmjetëm, shprehet gjithashtu i shqetësuar që administrata po përdoret për fushatë politike dhe në funksion të saj, mbi punonjësit e administratës po ushtrohet presion.


Misioni i vëzhguesve citon se janë marrë numër i madh deklaratash për preson mbi punonjësit e sektorit publik, përfshirë kërcënime se ata do të humbnin vendet e punës, nëse ata nuk ndërprisnin aktivitetet politike.


"Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut ka pretenduar se 18 nga mbështetësit e saj janë larguar nga puna në shtet, me sfond politik, pasi ajo parti vendosi t'i bashkohej koalicionit "Bashkimi për Ndryshim", udhëhequr nga PS-ja", - thuhet në raportin e OSCE/ODIHR-it. Krahas këtij problemi, në raport evidentohen edhe problemet lidhur me vendimmarrjen e KQZ-së.


"KQZ-ja vazhdon të jetë e ndarë sipas linjave mazhorancë-minorancë mbi çështje të diskutueshme, mes katër anëtarëve të emëruar nga shumica parlamentare dhe tre anëtarëve të emëruar nga partitë opozitare.


Çështjet më të debatueshme janë miratuar me 4 vota kundrejt 3. Sidoqoftë, kryetari i KQZ-së është duke bërë përpjekje për të konsultuar të gjithë anëtarët dhe për të arritur konsensus kur është e mundur. Diskutimet më të debatueshme në KQZ lidheshin me procedurat ose interpretimet e Kodit Zgjedhor.


Përfaqësuesit e autorizuar të partive politike kanë përdorur gjerësisht të drejtën e tyre për të folur dhe bërë propozime gjatë punimeve të KQZ-së",- thuhet në raport. Vëzhguesit vënë në dukje gjithashtu vonesat në ngritjen e komisioneve të qendrave të votimit për shkak të partive, që nuk kishin dërguar emrat e përfaqësuesve të tyre.


Ndërkohë që, për sa u përket medieve, raporti përshkruan se periudha para fillimit zyrtar të fushatës u karakterizua nga një mbulim i pabalancuar i aktiviteteve elektorale.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›