ODHIR: MB shpërndau listë të pasaktë, kartat problem
Misioni i Vëzhguesve të ODIHR-it evidenton të dhënat e pasakta shpërndarë nga MB-ja, problemet me kartat, si dhe akuzat e forta mes kundërshtarëve
TIRANË- Brenda një harku kohor të shkurtër, Misioni i Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it publikoi raportin e dytë paraprak mbi ecurinë e procesit zgjedhor.
Raporti që përfshin vrojtimet dhe konstatimet për zhvillimet në periudhën 22 maj deri më 3 qershor, shënon për herë të parë një vërejtje thelbësore për të dhënat që ka ofruar Ministria e Brendshme.
Duke i kushtuar një hapësirë të veçantë problemit të letërnjoftimeve, që sipas vëzhguesve, vazhdon të shkaktojë debate mes qeverisë dhe opozitës, Misioni i Vëzhguesve i referohet një liste të pasaktë që Ministria e Brendshme shpërndau në datën 28 maj.
"Më 28 maj, Ministria e Brendshme shpërndau tek PS-ja, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe OSCE/ODIHR EOM, një database me të dhëna të pasakta rreth qytetarëve, të cilët nuk kanë një pasaportë.
Kjo çoi në mosmarrëveshje mes qeverisë dhe PS-së. Ministria e Brendshme ia atribuoi atë një gabimi teknik, ndërsa PS-ja e pretendoi si manipulim të qëllimshëm të databases, i cili mund të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve.
Më 1 qershor, PS-ja shpalli se do të procedonte zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme rreth çështjes",- thuhet në raportin e dytë të ndërmjetëm të Misionit të Vëzhguesve të ODIHR-it.
Në raport theksohet se, sipas informacioneve të Ministrisë së Brendshme, një total prej 1.172.279 aplikimesh, janë bërë deri më 31 maj dhe janë prodhuar 1.045.910 karta identiteti.
"Një total prej 1.019.910 kartash janë shpërndarë për në qendrat e aplikimit, nga të cilat 652.067 janë marrë nga qytetarët. Sipas qeverisë, rreth 730 mijë qytetarë nuk kanë pasaportë, një shifër të cilën opozita e ka konsideruar si shumë të ulët.
Nga këta qytetarë, 460 mijë kanë aplikuar deri më 29 maj. Mes atyre votuesve të pranueshëm, të cilët ende duhet të aplikojnë, një shifër e vlerësuar prej 160.000-260.000 besohet të jenë jashtë pa dokumente të vlefshme, sipas një letre nga zv/ministri Brendshëm drejtuar PS-së", - shton raporti.
Problemet me kartat
Shumica e çështjeve lidhur me procesin e aplikimit, prodhimit dhe shpërndarjes së kartave vazhdon të jetë e ashpër mes qeverisë dhe opozitës, citohet në raport.
"PS-ja vazhdon të pretendojë se aplikimet janë pranuar në mënyrë selektive, se subvencionet për kartat janë aplikuar në mënyrë selektive në favor të mbështetësve të PD-së dhe se ka ndërprerje të qëllimshme energjie dhe probleme me internetin, për të ngadalësuar procesin e aplikimit dhe shkurajuar mbështetësit e njohur të PS-së", - thuhet në raport.
Por, edhe raportimet e vëzhguesve afatgjatë të OSCE/ODIHR EOM, tregojnë se në disa raste, jo të gjithë qytetarët morën një hua për një kartë identiteti, megjithëse u ishte dhënë e drejta sipas vendimeve të qeverisë dhe jo të gjithë stafet e zyrave të postës ishin në dijeni të atij vendimi (për shembull në rajonet e Elbasanit dhe Korçës). "Disa grupeve të aplikuesve ju refuzua kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit në disa vende (për shembull në rajonin e Dibrës dhe Korçës).
Vëzhguesit afatgjatë të OSCE/ODIHR EOM raportuan gjithashtu ndërprerje të energjisë dhe probleme me internetin në qendrat e aplikimit, në veçanti në rajonin e Elbasanit, Përmetit, Dibrës dhe Korçës, të cilat vështirësuan aplikimin në kohën e duhur",- thuhet në raport.
Mjedisi politik
Në raport vlerësohet se fushata po zhvillohet përgjithësisht e qetë, me incidente të izoluara, por mes akuzash shpesh të forta.
"Aktivitetet e fushatës nisën të shtohen gjatë periudhës së raportimit, por në shumë zona të vendit mbeten shumë të kufizuara. Disa parti politike mbajtën tubime hapëse për të shënuar fillimin e fushatës, në të cilat prezantuan platformat dhe programet.
Udhëheqësit e partive kanë udhëtuar shumë në vend, duke zhvilluar mitingje. Zyrat elektorale janë hapur. Posterat kanë nisur të shfaqen, veçanërisht rreth Tiranës",- thuhet në raport. Misioni raporton se, mjedisi i fushatës ka qenë përgjithësisht i qetë.
"Incidente të izoluara pati më 21 maj, ku një tendë fushate e Partisë G99 në Kamzë u dëmtua nga oficerë policie dhe më 26 maj, një zyrë e PS-së në Tiranë u dëmtua nga persona të panjohur. Fushata është zhvilluar me shembuj të vazhdueshëm të një gjuhe të ashpër dhe akuzash.
PD-ja është përqendruar veçanërisht me pjesëmarrjen e njohur në tubimin hapës të PS-së, të një ish-ministri të Brendshëm nga periudha e komunizmit. PS-ja ka akuzuar në mënyrë të vazhdueshme PD-në për korrupsion",- citohet në raport