Anëtarësimi në ICD një mundësi financiare për ndërmarrjet privatë në Shqipëri

Sigurimi i financimeve për projekte të ndërmarrjeve të ndryshme private në Shqipëri synohet edhe përmes ratifikimit së shpejti nga parlamenti të "marrëveshjes së themelimit të Korporatës Islamike për Zhvillimin e Sektori Privat (ICD)". Sipas relacionit shoqërues të këtij projektligji, Shqipëria është anëtare e Bankës Islamike për Zhvillim (IDB) që nga viti 1993. Nxitja dhe zgjerimi i zhvillimit të ndërmarrjeve private në vendet anëtare të IDB-së, lindi nevojën e krijimit të një institucioni ndërkombëtar siç është Korporata Islamike për Zhvillimin e Sektori Privat (ICD)", përmes nënshkrimit të një marrëveshje themeluese të tij, më 3 nëntor 1999, në Jeddah të Arabisë Saudite. Në relacion thuhet se, Koorporata Islamike (ICD) synon të zhvillojë sektorin privat në vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike përmes sigurimit të veprimtarive të tyre. Ajo ka të drejtë të identifikojë dhe mbështesë projektet e sektorit privat, që plotësojnë kushtet e fizibilitetit dhe të efektivitetit, të kryejë investime direkte, përmes instrumentave financiarë, të promovojë zhvillimin e burimeve njerëzore dhe materiale në vendet anëtare, etj. Sipas relacionit, përfitimi i Republikës së Shqipërisë, si rezultat i anëtarësimit në këtë Korporatë, është sigurimi i fiancimeve për projekte të ndërmarrjeve të ndryshme private në vend. Këto ndërmarrje do të aplikojnë për financim nga ICD, ndërkohë që është Korporata ajo që do të identifikojë projektet që përmbushin kriteret e fizibilitetit ekonomik dhe të efiçencës, të cilat mund të përfitojnë në kuadër të këtij anëtarësimi. Në relacion thuhet gjithashtu, se anëtarësimi në këtë institucion duhet parë jo vetëm në këndvështrimin e përfitimeve direkte, por edhe të atyre indirekte, pjesë e të cilave janë dhe grantet e financimet, që përfitohen nga institucionet e lidhura me Bankën Islamike për Zhvillim. Autoriteti përgjegjës për zbatimin e kësaj marrëveshje është Ministria e Financave.
...