E Diel, 1 Nëntor 2026

Anëtarësimi në NATO - Shqipëria korri frytet e mirëqeverisjes në reforma të thella

Berisha takon përfaqësuesit e lartë të Delegacionit Italian në Asamblenë Parlamentare të NATO-s
 
Senatorët italianë përgëzuan kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për vendosmërinë në reforma që shndërruan vendin dhe i  hapën rrugën anëtarësimit në NATO në një kohë rekord dhe që do të lehtësojnë edhe procesin e integrimit të vendit në BE.

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim një delegacion të nivelit të lartë të Senatit Italian, të kryesuar nga Kryetari i delegacionit Italian në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Sergio De Grigorio dhe me pjesëmarrjen e ish kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Italisë, senatorit Lamberto Dini dhe ish Presidentit të Senatit Italian, senatorit Franco Marini. Në takim merrte pjesë dhe Ambasadori i Italisë në vendin tonë, zoti Saba D’Elia. Kryeministri i uroi mirëseardhjen senatorëve të nderuar italianë dhe shprehu përmes tyre, mirënjohjen për solidaritetin, ndihmën dhe mbështetjen mjaft të vyer të popullit Italian, të qeverive italiane dhe të institucioneve të vendit fqinjë për zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë.
Kryeministri theksoi se Shqipëria po kalon një moment historik, anëtarësimi në NATO, proces i cili nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e plotë të Italisë në çdo aspekt. Senatorët italianë falënderuan kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe u shprehën se zhvillimi i Shqipërisë është impresionues dhe se Shqipëria ka korrur frytet e konsekuencës së qeverisë në reformat ë thella në shumë fusha.
Më tej senatorët italianë uruan Kryeministrin Berisha për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në Samitin e prillit, duke nënvizuar se Shqipëria do të jetë një vlerë e shtuar për NATO-n, duke qenë një vend i cili ka ndërmarrë reforma kaq të thella, i cili ka dhënë një kontribut real me forcat e saj përkrah NATO-s në disa vende dhe ka luftuar e vendosur përkrah saj kundër terrorizmit.
Kryeministri Berisha i njohu senatorët italianë me ecurinë e reformave të rëndësishme, me luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit dhe krimit, me hapat në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe shfrytëzimit të resurseve të shumta të Shqipërisë dhe me veçanërisht në krijimin e një klime sa më të favorshme për investimet e huaja.
Senatorët italianë theksuan se Shqipëria është një vend me shumë interes për kompanitë italiane, interes i cili nuk ka njohur dhe nuk do të njohë rënie, me gjithë krizën ekonomike, duke veçuar bashkëpunimin në fushën e energjisë.
Kryeministri Berisha theksoi se drejt Shqipërisë janë afruar kompanitë më të mëdha të Italisë dhe se qeveria shqiptare do të mbështesë projektet e tyre.
Senatorët italianë përgëzuan kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për zgjedhjet thelbësore dhe vendosmërinë në mijëra reforma të rëndësishme, të cilat shndërruan Shqipërinë dhe të cilat i hapën rrugën anëtarësimit në NATO në një kohë rekord dhe që do të lehtësojnë edhe procesin e integrimit të vendit në BE. Ata siguruan kreun e qeverisë shqiptare, edhe për mbështetjen e plotë të tyre në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Anëtarë të delegacionit italian në NATO takohen me parlamentarë shqiptarë
 
Senatorët e NATO-s vlerësojnë mbarëvajtjen e reformave në Shqipëri

TIRANE - Një grup senatorësh italianë, anëtarë të Delegacionit Italian në Asamblenë Parlamentarë të NATO-s, në kuadër të një vizite zyrtare në Shqipëri, kanë zhvilluar dje takime me anëtarë të delegacionit homolog shqiptar, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Senatorët italianë dhe parlamentarët shqiptarë diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Senatori Sergio de Gregorio, vlerësoi ecurinë e reformave në Shqipëri, duke theksuar se “vendi juaj e meriton të jetë anëtar i NATO-s”. Në këtë kuadër ai vlerësoi kontributin e palës shqiptare në misionet paqeruajtëse të Aleancës në zona të ndryshme të globit. Senatori italian vlerësoi më tej se “nëse vijon ecuria e reformave Shqipëria do të bëhet pjesë edhe e Bashkimit Evropian”.
Ndërkohë, parlamentarët shqiptarë vlerësuan bashkëpunimin dhe kontributin e Italisë në procesin e ristrukturimit të Ushtrisë Shqiptare. Ata i njohën senatorët italianë me reformat e deritanishme të qeverisë shqiptare, duke theksuar se hyrja në NATO është meritë e përbashkët e të dy krahëve të politikës.
Nga ana e tij, deputeti Preç Zogaj, duke vlerësuar mbështetjen e Italisë për Shqipërinë kërkoi prej saj ndihmesë në liberalizimin e vizave me BE-në, si një domosdoshmëri për qytetarët shqiptarë.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›