E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e 9 janarit, krim shtetëror - drejtësia dënoi shërbëtorët, jo përgjegjësit pushtetarë

Deputetët e Shkodrës i kërkojnë Prokurorisë të rinisë hetimet
 
TIRANE - Deputetët e Partisë Demokratike të rrethit Shkodër, i bënë thirrje dje organit të akuzës që të rinisë hetimet për tragjedinë e 9 Janarit, ku humbën jetën 29 shqiptarë nga qyteti verior. Deputetja Arenca Trashani deklaroi dje për mediat se sistemi i drejtësisë dhe Prokuroria, kanë qenë dhe mbeten një sistem i kalbur dhe i korruptuar. Ligjvënësja demokrate, bëri të ditur se nga drejtësia janë dënuar vetëm shërbëtorët ndërsa shpërdoruesit e detyrës, përfaqësuesit shtetërore të asaj kohe, vazhdojnë jetën dhe karrierën politike.
“Drejtësia dhe Prokuroria dënuan vetëm disa shërbëtorë fatkeq, për trafik klandestinësh ndërsa shpërdoruesit klasikë të shpërdorimit të detyrës vazhduan dhe po vazhdojnë të qetë karrierën politike dhe kjo falë faktit që sistemi i drejtësisë në përgjithësi dhe Prokuroria në veçanti, ka qenë dhe mbetet një sistem i kalbur dhe i korruptuar. Ne jemi të bindur në këtë që deklarojmë, prandaj edhe kërkojmë që Prokuroria të rifillojë menjëherë hetimet për shpërdorim detyre, me pasoja të rënda ndaj pushtetarëve të kohës. Gjatë këtyre hetimeve, Prokuroria të marrë në konsideratë të gjitha pretendimet e të dëmtuarve. Kemi shumë nevojë të na rikthehet besimi tek sistemi i drejtësisë”, u shpreh deputetja Trashani.
Ajo theksoi se në kohën kur 39 shtetasit shqiptarë po mbyteshin në det, qeveria merr dijeni të plotë për vendndodhjen dhe rrezikun që u kanosej, dhe nuk merr asnjë masë për shpëtimin e tyre. “Ata i kërkuan ndihmë qeverisë së tyre për disa orë rresht dhe atë e kemi dëgjuar të gjithë falë medias elektronike. Por klithmat e tyre ranë në vesh të shurdhër. Qeveritarët socialistë jo vetëm që i braktisën shtetasit e tyre në mëshirë të fatit po sikur të mos mjaftonte kjo i fyen publikisht duke i deklaruar me cinizëm se në det ndodheshin dy-tre trafikantë droge”, tha Trashani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›