Anëtarësimi në NATO, Shqipëria depoziton sot instrumentat e ratifikimit

Shqipëria dhe Kroacia depoziton sot, në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, instrumentet e ratifikimit të aderimit në NATO. Ministri i Jashtëm Basha, ka udhëzuar Ambasadorin e Shqipërisë në Uashington, të depozitojë instrumentin e ratifikimit të Aderimit të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shqipëria dhe Kroacia u ftuan për të aderuar në NATO në Samitin e një viti më parë në Bukuresht. Protokollet e anëtarësimit u nënshkruan nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO- s në korrik të vitit 2008 dhe në një kohë rekord në historinë e Aleancës ato u ratifikuan nga Parlamentet e 26 vendeve anëtare të saj, çka bëri të mundur ftesën zyrtare të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Kështu, në Samitin e Strasburg/Kehl, Shqipëria merr pjesë si anëtare e Aleancës politike dhe ushtarake më të fuqishme që ka njohur historia.