Anëtarësimi në NATO kremtohet edhe në vendlindjen e Berishës
TIRANE - Me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në komunën Tropojë e Vjetër që është edhe vendlindjen e Kryeministrit Sali Berisha dje pasdite është zhvilluar një takim festiv ku asistuan mijëra qytetarëve të të gjitha moshave.
Banorët e komunës Tropojë e Vjetër, një komunë malore në verilindje të vendit, shumë pranë kufirit me Kosovën kanë festuar të dielën pasdite anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO, aleanca më e madhe politike ushtarake që aktualisht numëron 28 anëtarë. Qendra e komunës Tropojë e Vjetër, rreth 125 kilometra larg Tiranës, e “veshur” me flamuj kombëtare dhe flamuj të NATO-s, është mbushur si rrallë herë nga disa qindra banorë të fshatrave të kësaj komune përfshirë dhe fshatin Vuçitol, vendlindja e Kryeministri Sali Berisha.
“E organizojmë këtë takim në komunën Tropojë e Vjetër, pasi ishte Kryeministri Sali Berisha, njeriu premtoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO por edhe njeriu që e realizoi atë”, tha ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit Jemin Gjana, një nga iniciatorët e këtij takimi festiv që u mbështet dhe nga drejtuesit e pushtetit vendor. Shqipëria nga dy ditë më parë është anëtare me të drejta e plota e Aleancës së Atlantikut të Veriut.