E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata elektorale edhe në punimet e artizanëve gjirokastritë

Gjirokastër “Etheve” të politikës dhe fushatës elektorale duket se nuk i kanë shpëtuar as artizanët gjirokastritë. Ditët e fundit në tregun e suvenireve në qytetin e gurtë janë ekspozuar një sërë punimesh artizanale, të cilat janë nxitur nga fushata elektorale e ditëve të fundit. Gurgdhendësi Muhedin Makri ka realizuar në gur të skalitur një dorë të mbledhur grusht si dhe një punim tjetër ku spikasin dy gishtat e ngritur lart. “Në këto ditë kur politika ishte në plan të parë unë mendova që në mënyrë simbolike të realizoja këto punime në gurgdhendje”, thotë artizani Muhedin. Për të dora e mbledhur grusht e skalitur në gur simbolizon komunizmin e lënë pas, ndërsa dy gishtat e ngritur lart janë simbol i demokracisë. Të dy këto punime janë vendosur në shitoren e suvenireve tradicionale në Pazarin karakteristik të Gjirokastrës. “Ato kanë tërhequr vëmendjen e shumë turistëve, të cilët porsa i shikonin qeshnin dhe më pyesnin për to”, thotë gurgdhendësi gjirokastrit. Mes të tjerash, gurgdhendësi Muhedin Makri thotë së fushata elektorale nuk ka ndikuar në uljen e numrit të turistëve në Gjirokastër. “Edhe gjatë këtyre ditëve nëpër kalldrëmet e gurta të Pazarit të zinte syri grupe turistësh vendas dhe të huaj, që shkonin në Kala apo komplekset e tjera muzeale”, thotë artizani. Madje, falë këtij fluksi ai ka patur një rritje të numrit të shitjeve të suvenireve turistikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›