Anëtarët e opozitës në KQZ: U kthyem nga presioni i KQZ
Subashi: Së pari, ne duhet të korrigjojmë apo të miratojmë një rregullore konform kërkesave të Kodit Zgjedhor për funksionimin e KQZ dhe të administratës zgjedhore
Plot tre muaj nga dita e largimit, anëtarët e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë zënë sërish vendet e tyre. Dëshira Subashi, Artan Lazaj dhe Pandeli Varfi, i kanë dhënë fund bojkotit të tyre dhe janë bërë kështu pjesë e procesit përgatitor dhe drejtues të zgjedhjeve për pushtetin vendor, që pritet të mbahen në datën 8 maj. Ndërkohë që, menjëherë pas rikthimit, nënkryetarja Dëshira Subashi ka ripërsëritur dhe një herë nevojën e miratimit të një rregulloreje të funksionimit të KQZ-së, teksa ka pranuar se vendimi i djeshëm i tyre, për t’u bërë pjesë e këtij procesi përgatitor të zgjedhjeve, ka ardhur edhe si pasojë e presionit të ndërkombëtarëve.
Rikthimi
Në ditën e parë të fushatës zgjedhore dhe në tre mujorin e largimit nga KQZ, anëtarët socialistë të këtij komisioni janë rikthyer në detyrën e tyre ligjore, për të dhënë kontributin e tyre në procesin përgatitor të zgjedhjeve, dhe sidomos në vendimet që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Subashi, Lazaj dhe Varfi kanë zënë vendet të parët në tryezë ndërsa kolegët e tyre të djathtë nuk kanë shprehur asnjë lloj qëndrimi, duke injoruar me heshtje prezencën e tyre. Por ashtu siç edhe pritej, rikthimi i të majtëve në komision ka rikthyer dhe debatin që thuajse ka munguar në këtë institucion që prej fillimit të janarit, kur tre anëtarët e majtë u larguan pas një debati me kreun e komisionit, Arben Ristani për çështjen e ndryshimit të vendimit për djegien e fletëve të votimit. Kështu, gjatë mbledhjes së djeshme, megjithëse çështjet për diskutim nuk kishin ndonjë rëndësi të veçantë, anëtarët e KQZ-së dhe përfaqësuesit e partive në këtë institucion janë përfshirë nga debate të ashpra, të cilat herë-herë kanë kaluar dhe në ofendime personale.
Subashi
Ndërkohë gjatë një pushimi të mbledhjes, nënkryetarja e KQZ-së duke shmangur debatin në komision për çështjen e bojkotit të tyre, ka komunikuar me mediat ku dhe ka bërë të ditur arsyet e këtij rikthimi, si dhe objketivat e aktivitetit të tyre në ditët në vijim. “Erdhi një moment, një muaj para zgjedhjeve, prania e vëzhguesve ndërkombëtarë por edhe vetë një reagimi të kryetarit të KQZ, qe një reflektim për të parë atë që ne kemi pasur pretendim, solli reflektimin që do të jemi në mbledhjen e KQZ për të vazhduar normalisht procesin zgjedhor”, - tha Dëshira Subashi. Më tej, ajo ka pranuar se një rol vendimtar në këtë qëndrim të ri të anëtarëve të opozitës ka luajtur dhe faktori ndërkombëtar, i cili ka bërë presion për t’u rikthyer në komision. E pyetur nëse ky ndryshim qëndrimi kishte ardhur si pasojë e presionit të faktorit ndërkombëtar, Subashi u shpreh “sigurisht nuk përjashtohet”. Më tej, ajo ka sqaruar se do të kërkojë fillimisht që të miratohet një rregullore e KQZ-së, ku të përcaktohet në mënyrë të qartë procedurat e funksionimit të këtij komisioni. Gjithashtu, pas këtij akti, ajo nuk ka përjashtuar mundësinë edhe të kërkesës për të riparë të gjitha ato vendime që janë marrë nga KQZ, gjatë periudhës kur anëtarët e opozitës nuk kanë qenë në mbledhje dhe që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. “Unë mendoj që ajo që është shumë e rëndësishme në gjykimin tim është që së pari, ne duhet të korrigjojmë apo të miratojmë një rregullore konform kërkesave të Kodit Zgjedhor, për funksionimin e KQZ dhe të administratës zgjedhore, që është tërësisht në shërbim të zgjedhjeve. Sigurisht në hapat e procesit do të shikojmë edhe vendimmarrjen tërësore”, - tha Subashi.