Gjendet i mbytur në liqenin artificial 14-vjeçari
TIRANË Gjendet i mbytur në liqenin artificial 14-vjeçari Lenis Lamçe. Ai u gjet mëngjesin e djeshëm nga polumbarët, të cilët nisën kërkimet pas apelit të familjarëve të viktimës. Sipas familjarëve, 14-vjeçari është mbytur që pasditen e së mërkurës në ujërat e liqenit artificial në Tiranë, ndërsa dje ata kanë kërkuar ndërhyrjen e polumbarëve për gjetjen e trupit. Sipas të dhënave të para, mësohet se Lenisi, nxënës në klasën e 9-të të shkollës "Siri Kodra", ka qenë duke luajtur së bashku me një grup shokësh të klasës pranë liqenit, por megjithatë mbytja e tij mbetet enigmë. Nuk dihet nëse ka ndodhur nga pakujdesia, apo nga ndonjë shkak tjetër. Familjarët e 14-vjeçarit që në momentin kur janë njoftuar për ngjarjen kanë ngritur dyshimet e tyre në polici për ngjarjen dhe kanë kërkuar zbardhjen e shkaqeve të zhdukjes dhe më pas të gjetjes të mbytur të Lamçes. Shokët e klasës kanë lajmëruar të parët policinë, ndërsa kërkimet e polumbarëve kanë zgjatur për thuajse 8 orë, derisa e kanë gjetur trupin mëngjesin e djeshëm. Familjarët kanë qenë të pranishëm në operacioni e gjetjes së trupit, dhe presin që të zbardhet vdekja e 14-vjeçarit, pasi edhe familjarët edhe policia kanë dyshimet e tyre lidhur me ngjarjen. Trupi i tij i pajetë është dërguar në morgun e kryeqytetit, dhe iu nënshtrua edhe autopsisë mjeko-ligjore. Dje në mbrëmje ky institut e konfirmoi se nga këqyrja mjeko-ligjore e trupit të 14-vjeçarit të mbytur ka rezultuar se nuk ka patur shenja në trup që të sugjerojnë ndonjë mbytje të qëllimshme për ta vrarë. “Pas këqyrjes së kufomës, kemi dalë në konkluzionin se në trupin e shtetasit Lenis Lamçe nuk ka asnjë shenjë që të sugjerojë ushtrim force të dhunshëm mbi të. Rezultatet sugjerojnë se viktima ka pësuar vdekjen pasi është mbytur dhe i ka ndaluar frymëmarrja”, i thanë dje MAPO-s mjekët e institutit mjeko-ligjor. Nga ana tjetër policia e Tiranës deklaroi se po merren në pyetje shokët e klasës, gjë që do zbardhë edhe më shumë detaje të ngjarjes. Në liqenin e Tiranës thuajse çdo vit humbin jetën të rinj, të cilët shkojnë aty kryesisht në aktivitete të organizuara shkollore. Sipas ekspertëve, një nga shkaqet kryesore të këtyre mbytjeve është hapësira nënujore e liqenit, e cila në shumë vende krijon thithjen e njerëzve ose ngecjen e tyre në objekte që janë hedhur në Liqen vite më parë.