ISN, Rakipi: Sondazhi, votuesit vlerësuan më shumë kandidatët se partitë
Instituti i Studimeve Ndërkombëtare publikoi dy ditë më parë një sondazh, që synon të masë pjesëmarrjen dhe perceptimet e qytetarëve, mbi zgjedhjet vendore, dhe po aq prioritetet dhe shqetësimet kryesore që ata kanë mbi kushtet e shërbimeve vendore. Drejtori i këtij instituti, Albert Rakipi, sqaroi dje në një intervistë për gazetën “Mapo”, qëllimin e këtij sondazhi, si dhe zhvillimet pozitive që nxori në pah ky studim.
Z.Rakipi, dy ditë më parë, Instituti i Studimeve Ndërkombëtare publikoi një sondazh mbi perceptimet e pritshmëritë e qytetarëve mbi qeverisjen vendore dhe zgjedhjet vendore në Shqipëri. Cili ishte qëllimi i këtij sondazhi?
Instituti i Studimeve Ndërkombëtare ka ndërmarrë këtë projekt, për të dhënë një kontribut sado modest në depolitizimin e fushatës elektorale, që do të vinte. Pra, meqenëse këto janë zgjedhje lokale, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me qytetarin, të rëndësishme janë çështjet me të cilat ballafaqohet qytetari. Instituti e ndërmori këtë iniciativë për të dhënë një kontribut modest, për ta depolitizuar këtë proces, por edhe për t’i ofruar një ndihmë sigurisht edhe partive politike se cila është axhenda e komunitetit në nivelin lokal, cilat janë çështjet më të mprehta dhe cilat janë shërbimet bazë, të cilat supozohet që qeverisja në nivel lokal, duhet t’u ofrojë dhe t’u sigurojë qytetarëve, që kryesisht kanë të bëjnë me infrastrukturën, rrugët, edukimin, strehimin, shkollat, mjedisin, punësimin për aq kompetenca sa ka qeverisja lokale. Instituti është përfshirë në këtë projekt, jo si një qëllim në vetvete, por duke i parë zgjedhjet lokale si çështje edhe të sigurisë dhe të stabilitetit, edhe të forcimit të demokracisë. Objektivi i Institutit nuk është për të bërë sondazhe. Ende në Shqipëri nuk ka një kulturë politike të pranimit të sondazheve, si një instrument edhe të zhvillimit të debateve, edhe si një ndihmesë të aktorëve politike dhe aktorëve të tjerë në shoqëri. Ne e shikojmë nga tjetër pikëpamje, ajo e forcimit të demokracisë, e forcimit të sigurisë sepse zhvillimi i zgjedhjeve, qoftë edhe ato lokale, ndonjëherë ka të bëjë edhe me sigurinë. Ne donim të vrojtonim gjithashtu edhe disa çështje. Së pari; një demokraci funksionuese kërkon pjesëmarrje në zgjedhje, që të dhënat nxirrnin se ishte e konsiderueshme. Pra së pari donim të vrojtonim cili ishte vullneti i qytetarëve shqiptarë, për të shkuar në zgjedhje, së dyti donim të shikonim se çfarë roli kishin aktorë të ndryshëm në shoqëri, partitë politike, institucionet drejtuese, përfshi edhe kryetarin e partisë në nivel lokal dhe atë në nivel qendror, në caktimin e kandidatëve. A kishte një rol komuniteti në këtë proces, pra kush i cakton kandidatët. Dua të them se edhe në këtë aspekt ka një lloj përmirësimi sepse kishte rol edhe komuniteti, pra merr rol edhe shoqëria në caktimin e kandidatëve, jo vetëm kryetari i partisë dhe kryesia qendrore. Më pas, ne kemi dashur të vëzhgojmë edhe vlerësimin që kanë qytetarët shqiptarë për stafet e deritanishme drejtuese në nivel lokal, për nivelin e shërbimeve, që qeverisja lokale u ka ofruar.
Ky sondazh solli disa të dhëna interesante edhe mbi arsyet se pse qytetarët duhet të votonin te një kandidat, pra cilat ishin arsyet që duhet të votonin një kandidat dhe kryesorja ishin cilësitë e tij dhe më pak partia që ai përfaqëson. Si e komentoni këtë qasje të qytetarëve, që duhet thënë se është e ndryshme nga sondazhet e mëparshme?
Duhet pranuar që është një ndryshim pozitiv. Ky është një mesazh i qartë për partitë politike, që duhet të kenë kujdes. Ndoshta u vonuam pak dhe ideja ishte që këto të dhëna që kanë dalë, partitë t’i kishin parasysh në përcaktimin e kandidatëve, pra kandidati sipas perceptimit të qytetarëve është i rëndësishëm dhe ky është një zhvillim pozitiv. Është një hap i ndrojtur, por një hap tashmë i hedhur përpara në modernizimin e politikës në një farë mënyre sepse pavarësisht nga fakti që ka rëndësi përkatësia partiake, pra se me kë parti garon, ka filluar të shfaqet një trend pozitiv tjetër që është ajo e cilësive të kandidatit, pothuajse e barabartë ose diçka më shumë sesa përkatësia partiakie. Pra nuk mjafton më emri i njërës prej dy partive të mëdha, për të fituar një bashki. Mund të ndodhë në raste të veçanta, por cilësitë e kandidatit janë të rëndësishme dhe kjo tregon një lloj përparimi.
Duke iu referuar sondazhit, 21.8% e qytetarëve shprehen të pavendosur për votën ndaj kryetarëve aktualë të bashkive dhe komunave. Juve z.Rakipi, si e interpretoni këtë grup votuesish jo të vogël?
Ne e kemi menduar rrezikun, që një pjesë e pyetjeve mund të kishin interpretime politike dhe do të politizoheshin nga dy partitë kryesore dhe kjo është një gjë e pritshme. Por unë do të thosha që në fillim dhe të theksoj se qëllimi i këtij sondazhi nuk është për të shpallur kuota për partitë politike, ose për kandidatët. Nuk është gjë e keqe ta bësh këtë gjë, por ne nuk e kemi marrë përsipër sepse nuk është puna jonë. Dua të sqaroj që ky sondazh është bërë në muajin shkurt dhe nuk ka pasur kandidatë të shfaqur në këtë periudhë. Për pasojë, qëllimi jonë kur kemi pyetur që a do të rivotoheshin kryetarët aktuale të bashkive nuk është për të matur ekzaktësisht kuotat që mund të ketë PD-ja apo PS-ja, absolutisht. Kjo pyetje është bërë për të pasur vlerësimin e qytetarëve për punën e kryetarit dhe qeverisjes lokale së pari, dhe së dyti nga pikëpamja metodologjike kjo është një pyetje kontrolli sepse ka pyetje të tjera më pas dhe kush përpiqet të interpretojë këtë, duhet të interpretojë të gjitha pyetjet e tjera. Pra duhen parë edhe arsyet e tjera që kanë motivuar këtë përgjigje sepse për shembull supozojmë se qytetarët e një qyteti, pjesa më e madhe thonë që do ta rivotojnë kryetarin, mirëpo pyetja tjetër që vjen më pas është se sa të kënaqur janë qytetarët me shërbimet bazë që janë për shembull; uji, dritat, rrugët, infrastruktura, shtëpitë, mjedisi, taksat në nivel lokal pra duhet marrë në kompleks.
Intervistoi: Nevila Perndoj