Anëtari i 7 në KZAZ, PS-ja merr tekun, ndërsa PD-ja çiftin
PS-ja nuk do të ketë shumicën e anëtarëve të komisioneve, në shumicën e bashkive të mëdha. Do të drejtojë sërish KZAZ-në e Tiranës dhe Vlorës
TIRANË- Partia Socialiste do të ketë të drejtën që të ketë anëtarin e shtatë në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) me numër tek, ndërsa Partia Demokratike, në ato me numrin çift. Ky ka qenë verdikti i goglave të shortit të hedhur dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në prani të medias dhe përfaqësuesve të partive politike, si një detyrim ligjor që lind nga Kodi Zgjedhor, i cili përcakton ngritjen e tyre 90 ditë para ditës së zgjedhjeve. Duke ndjekur procedurën ligjore, KQZ-ja ka bërë përcaktimin e anëtarit të shtatë të KZAZ-ve, duke u kujdesur për një përzgjedhje rastësore dhe shpërndarje të barabartë në territorin zgjedhor. Në bazë të Kodit Zgjedhor, të drejtën për të pasur anëtarë të shtatë në KZAZ e kanë vetëm PS-ja dhe PD-ja, si dy partitë e mëdha që kanë dhe numrin më të madh të deputetëve në Kuvendin aktual.
Rezultati
Rezultati i shortit të djeshëm ka qenë jo shumë pozitiv për socialistët, të cilët do të jenë në minorancë në KZAZ-të e qendrave të mëdha urbane. Kështu, goglat kanë vendosur që PS-ja të mos ketë shumicën e anëtarëve të këtyre komisioneve në bashkitë e mëdha, siç është Durrësi, Fieri, Elbasani, Korça apo edhe Shkodra, të cilat në bazë të renditjes paraprake kanë pasur numër çift. PS-ja është e favorizuar vetëm në dy nga bashkitë e mëdha, siç është kryeqyteti dhe Vlora. Në Tiranë, PS-ja do të ketë anëtarin e shtatë në 6 minibashki, nga 5 që do të ketë PD-ja. Ndërsa në rast se do të bënim një analizë në rang qarqesh, të cilat në këto zgjedhje do të jenë dhe zona zgjedhore, PS-ja duket se ka qenë më e fituar, kjo për vetë faktin se do të ketë shumicën në dy nga tre KZAZ-të e qarkut Lezhë dhe atij të Dibrës, dy zona zgjedhore këto të njohura si të djathta, ndërsa do të jetë në disavantazh numerik anëtarësh në Shkoder, Fier dhe Kukës dhe në barazim në qarqet e tjera. Nga një vështrim sipërfaqësor i listës së miratuar dje nga KQZ-ja, vihet re se PS-ja ka shumicën e anëtarëve të KZAZ-ve, kryesisht në qendrat rurale, ndërsa PD-ja në ato urbane.
KZAZ-të
Në bazë të Kodit Zgjedhor, i gjithë territori i Shqipërisë është ndarë në 66 KZAZ, në 33 prej të cilave anëtarin e shtatë do ta ketë PS-ja dhe në 33 të tjerat PD-ja. KZAZ është emërtimi që u jepet komisioneve që do të përgjigjen për administrimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve në një njësi të caktuar brenda një zone zgjedhore shumemërore. Kështu, kodi u ka dhënë këtyre komisioneve një rëndësi të madhe, pasi ato emërojnë kryetarin, zëvendëskryetarin, anëtarët, sekretarët e KQV-ve dhe anëtarët e grupeve të numërimit, të përfshira në juridiksionin e ZAZ-së. Gjithashtu, KZAZ-ja administron buxhetin e caktuar nga KQZ-ja, garanton shpërndarjen në kohë të materialeve të votimit, merr në dorëzim nga KQV-të materialet e votimit dhe kutitë e votimit, si dhe përgatit dhe miraton tabelën përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve për çdo subjekt zgjedhor në ZAZ dhe ia dërgon atë KQZ-së, së bashku me materialet e tjera të nevojshme. KZAZ-të do të kenë shtatë anëtarë, dy nga PD-ja, dy nga PS-ja dhe nga një prej PSD-së dhe PR-së.
Fejzi Braushi