Topi: Heshtja për "dosjet", nuk jam penduar
Presidenti i Republikës merr garancinë nga homologu i tij slloven, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk ndihet i penduar për heshtjen e tij lidhur me ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar ligjin për dosjet, kreu i shtetit deklaroi dje në një konferencë për shtyp, se të gjitha institucionet dhe faktorët politikë kanë marrë pozicionin e tyre të qartë, duke respektuar themelet e shtetit ligjor dhe Kushtetutën. I pyetur nga përfaqësues të medias se, a ishte penduar që kishte heshtur për ligjin shumë të përfolur të lustracionit, pas reagimit të ndërkombëtarëve dhe vendimit të Kushtetueses, Topi u përgjigj: "Sigurisht që nuk diskutohet për vullnete individuale. Janë pozicione shumë institucionale, dhe mendimet e vendimet e maturuara, natyrisht që nuk japin shanse për ndonjë lloj pendese. Besoj që ka qenë një vendim i qartë, i ekspozuar me të drejtën kushtetuese që ka Presidenti i Republikës. Dhe ajo që unë konstatoj, është që të gjitha institucionet dhe faktorët politikë kanë marrë pozicionin e tyre të qartë, duke respektuar themelet e shtetit ligjor dhe duke respektuar Kushtetutën". Presidenti i Republikës iu përgjigj interesimit të medias, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur me Presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk, ku ky i fundit, deklaroi se kishte hedhur firmën për ratifikimin e Shqipërisë në NATO. "Sllovenia ka qenë gjithmonë në mbështetje të aspiratës së Shqipërisë për integrimin e saj në NATO dhe BE. Parlamenti ynë, vetëm kohët e fundit ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, të cilën unë sapo e nënshkrova dhe besoj dhe ne e mirëpresim Shqipërinë që të bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s në Samitin e Strasburgut, në datën 3 prill. Gjithashtu, Sllovenia mbështet dhe aspiratën e natyrshme të Shqipërisë për liberalizimin e vizave me BE-në",- tha Turk. I shoqëruar edhe nga 30 përfaqësues të biznesit, Presidenti i Sllovenisë shprehu dëshirën që vizita e tij të shënonte fillimin e një faze të re të intensifikimit të marrëdhënieve të biznesit dhe të ekonomisë ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë.