E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Bazë raketash në Shqipëri? Po, nëse na kërkohet

Kryeministri Sali Berisha, tha se nuk ka kërkesë nga SHBA-ja, por në rast se do të ketë, Shqipëria do të kontribuojë


TIRANË- Kryeministri i vendit, Sali Berisha, shprehet i gatshëm të marrë në konsideratë çdo kërkesë që mund të vijë nga SHBA-ja, qoftë edhe kur bëhet fjalë për vendosjen në Shqipëri e bazës amerikane të sistemit interceptues të raketave balistike me rreze të mesme veprimi. I pyetur nga përfaqësues të medias, dje në konferencën për shtyp, Kryeministri Sali Berisha, ka deklaruar se do ta trajtojë me kujdes, në rast se do të propozohej ndonjë kërkesë e tillë nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së. "Qeveria e SHBA-së nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për vendosje raketash apo instalimesh. Si anëtare e ardhshme e NATO-s, Shqipëria do të përmbushë të gjitha detyrimet e Aleancës dhe si vend që ka një prioritet më të madh marrëdhëniet me SHBA-në, Shqipëria shqyrton dhe do të shqyrtojë me seriozitetin më të madh çdo kërkesë të këtij vendi mik, i cili punon për paqen dhe sigurinë në botë. Edhe njëherë theksoj nuk ka asnjë kërkesë. Por s'mund të ketë mëdyshje se marrëdhëniet tona me SHBA-në janë marrëdhënie të një rëndësie më parësore, edhe në fushën e sigurisë dhe në fusha të tjera",- tha dje Berisha, i cili dje përshëndeti edhe mbylljen e procesit të ratifikimit të Shqipërisë në NATO nga të gjitha vendet. Shqipëria, Turqia, Bullgaria dhe Rumania, ishin vendet që u përmendën pak kohë më parë në një artikull të "International Herald Tribune", ku mund të vendosej sistemi i mbrojtjes raketore, si një përgjigje për kërcënimin bërthamor në rritje të Iranit. Analistët amerikanë, Dinshaw Mistry, nga Universiteti i Cincinnati-t dhe Charles D. Ferguson, i Këshillit për Marrëdhënie të Jashtme në SHBA, shkruanin për "International Herald Tribune", se ndërkohë që Amerika është në gjendje ta përballojë nga bazat e veta në Alaska të gjithë rrezikun e raketave balistike interkontinentale që mund të vijnë nga Irani, problem mbetet Europa, e cila do të ishte e zbuluar përballë kërcënimit për sulme me raketa balistike me rreze të mesme. Meqenëse Rusia do të irritohej nëse shtohej numri i interceptorëve në Poloni, atëherë SHBA-ja mbetet të vihet në kërkim të bazave alternative, diku tjetër nëpër Europë. "Për këtë arsye, nevojitet një arkitekturë e re mbrojtjeje raketore në Europë", - shkruanin Mistry dhe Ferguson, "me interceptorë në Turqi, Bullgari, Rumani ose Shqipëri". Kjo tezë e hedhur jo rastësisht në "Herald Tribune", u mbështet pak kohë më parë edhe nga ish-ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko. Në rast se do të realizohej një gjë e tillë, sipas tij, vendi ynë do të kishte veçse përfitime, këto edhe në aspektin e sigurisë kombëtare.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›