Rama: Projekti i PS-së për legalizimet
Kryetari i PS-së, Edi Rama, ishte dje në Kamëz dhe Elbasan
TIRANË- Në turin e tij "Vullnetarët e Bashkimit të Ri për Ndryshim", kreu i PS-së, Edi Rama është ndalur dje në Kamëz, ku ka takuar të rinjtë e kësaj zone. Lideri i opozitës ka shigjetuar Kryeministrin Berisha, si njeriun kryesor që theu besimin e qytetarëve për sa i takon procesit të legalizimit. "18 vjet me radhë, të ardhurit e kësaj hapësire pa shtet, ia lanë fatin e tyre në dorë Sali Berishës, dhe 4 vjet pasi erdhi në pushtet për të dytën herë, Sali Berisha nuk ua ktheu, por ua theu besimin, duke e kthyer edhe procesin jetik të legalizimeve në një maskaradë politike papërgjegjshmërie, paaftësie dhe korrupsioni, duke përjashtuar pushtetin vendor nga ky proces i domosdoshëm, në mënyrë antikushtetuese",- tha ai. Kryetari i PS-së, Edi Rama, premtoi në këtë takim se me fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit, të gjithë banorët e zonave përreth qyteteve të mëdha, do të marrin një tapi me vlerë për pasuritë e tyre të paluajtshme e për investimet e të ardhmes së tyre: "Unë jam këtu për t'i parë në sy përmes jush të gjithë të ardhurit që kanë ndërtuar themelet e së ardhmes të familjeve të tyre, në shtëpitë pa leje, rreth Tiranës dhe rreth të gjitha qyteteve të mëdha të vendit dhe për t'ju thënë se, me fitoren e 28 qershorit, do të marrë fund edhe pritja juaj. Qeveria jonë e bashkimit të ri, pa dallim feje, krahine dhe ideje, do ta përfundojë legalizimin, jo duke u dhënë në dorë një Shaban-tapi, pa asnjë vlerë, por duke u kthyer pasuritë tuaja të paluajtshme, duke e kthyer në pasurinë tuaj të paluajtshme, shtëpitë, që politikanët, për interesa elektorale ua mbajnë peng tash 10 vjet.". Ndërsa dje pasdite, kreu i PS-së ishte në Elbasan, ku ndër të tjera u shpreh se sot shqiptarët po jetojnë deformimin më ekstrem të keqqeverisjes së 18 vjetëve, nën dhunën e interesave të korrupsionit, që janë përqendruar në oborrin kryeministror. "E kanë kthyer njeriun e votuar 4 vjet më parë për të luftuar korrupsionin, në mishërimin e korrupsionit në sistem. Asnjëherë papërgjegjshmëria e pushtetarëve të këtij vendi nuk ka qenë më lart se sa sot, i pari i qeverisë së këtij vendi dhe korrupsioni nuk ka qenë më të njësuar sesa sot", - tha Rama. Kryetari i opozitës shtoi se, në qershor secili do ta ketë në dorë për t'u ndarë nga politika e urrejtjes.