E Diel, 1 Nëntor 2026

Anëtari i KQZ, Klement Zguri: KQZ duhet të bëjë transparencën e 10 kutive të Lezhës

15-07-2013 / Gazeta 55

Rezultati i shpallur nga Komisioni, në përputhje me ligjin

Teksa Partia Socialiste ka vendosur të kërkojë në kolegj pavlefshmëri të rezultatit të zgjedhjeve për  10 qendra votimi në Qarkun e Lezhës, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri dikton nevojën e bërjes së transparencës së këtyre kutive të votimit sa më parë. “Është e nevojshme që të ketë një transparencë për këto 10 qendra dhe shpresoj që KQZ-ja në të ardhmen e afërt do të bëjë ë mundur transparencën që kanë këto 10 kuti votimi. Ato 10 qendra në prani të medias duhet të bëhet e ditur se çfarë kanë brenda”, u shpreh ai. Zguri hedh poshtë pretendimet e ngritura nga përfaqësuesit ligjor të Partisë Socialiste për nxjerrjen e rezultatit për Lezhën, në bazë të tabelave elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe shpjegon arsyet që çuan Komisionin me marrjen e këtij vendimi. “Nga 258 qendra votimi kanë ardhur vetëm 248 tabela origjinale. 10 të tjera kanë qenë me korrigjime dhe fotokopje, gjë që ligji se njeh dhe as e pranon. KQZ në vend që nxirrte rezultatet mbi fotokopje të korrigjuara e gjeti më pranë ligjit dhe së vërtetës që të dhënat të merreshin nga sistemi elektronik i KQZ-së. Ndërkohë që të dhënat që vijnë në sistemin elektronik në KQZ vijnë zyrtarisht nga KZAZ, pavarësisht se ligji nuk kërkon që ti referohemi”, sqaroi Zguri.
Për Zgurin administrimi i këtij procesi elektoral nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përmbushi standardet e shumë kërkuara nga ndërkombëtarët, edhe pse në kushtet e një vakance të tre anëtarëve të dorëhequr. “KQZ ka arritur standardet për menaxhimin e procesit, e kanë thënë vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë në raportet paraprake të ODIHR, përfaqësues të BE, Departamentit Amerikan të shtetit, politikanë vendas e të huaj. Sfidë ishte arritja e standardeve dhe ka fituar KQZ edhe pse në kushtet e një institucioni me 3 anëtarë mangut”, nënvizoi Zguri
Në të tilla kushte, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpallë rezultatin e zgjedhjeve pas shqyrtimit të të gjitha ankimimeve. Ndërsa ndarja e mandateve do të bëhet nga Kolegji Zgjedhor. Deri më tani Komisioni ka marrë 711 vendime, 16 prej të cilave janë ankimuar nga subjektet elektorale në Kolegjin Zgjedhor , 8 prej të cilave kanë lënë në fuqi vendimet e KQZ-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›