Dashamir Shehi: E djathta e bashkuar, garanci për fitoret e ardhshme

Dashamir Shehi, kryetar i LZHK-së thotë se e “djathta e bashkuar”, është një garanci e fortë për fitoret e ardhshme elektorale. Në një deklaratë për mediat, Shehi e cilëson të djathtën faktor të rëndësishëm faktor imediat në politikën shqiptare, ndërsa bashkimin e saj përmes shkrirjes së partive të vogla e cilëson si shans për mbledhjen e fuqive dhe rikthimin mazhorancë pas katër vitesh. “Kjo është një ide në qarkullim prej kohësh dhe mendoj se duhet të marrë formë në vjeshtë, në mbledhjen e grupit të ri parlamentar. Por më parë të shohim se kush do të jetë lidershipi i ri i PD-së, aleancat që do mbeten apo krijohen. Pra, janë një sërë faktorësh që duhen parë, pasi e djathta po kalon një moment të vështirë pas humbjes së zgjedhjeve më 23 qershor. E djathta i ka të gjitha mundësitë dhe përveç kësaj, është edhe dëshira e mijëra qytetarëve, që duan ta shohin sërish të fortë dhe të ringritur të djathtën shqiptare. Unë personalisht kam besim. Ndërkaq, ai vlerëson garën për lidershipin e ri demokrat, ndërsa po të njëjtën rëndësi i kushton edhe analizës së zgjedhjeve. “Ka disa elementë pozitivë kjo garë, por vërej që u bë me një nxitim. Brenda një jave dolën kandidatët, brenda tri javëve data e zgjedhjeve dhe alternativë kemi vetëm dy. Gjykoj se më parë duhej të bëhej një analizë për faktorët që çuan në humbjen e thellë të aleancës së djathtë. Megjithatë, mendoj se së pari po bëhet një garë reale, madje për herë të parë në Partinë Demokratike dhe kjo është shumë e rëndësishme. Së dyti, është gjetur një formulë revolucionare dhe mjaft pozitive e zgjedhjes së kryetarit të ri përmes parimit “një anëtar, një votë”. Së treti, kandidatët garues janë relativisht të rinj për të pasur kohën e nevojshme për të rinovuar Partinë Demokratike. Të dy kandidatët janë të pjekur dhe me eksperiencë në politikë, ndaj mendoj se është bërë një përzgjedhje e mirë. Do t’i konsideroja pozitive këto elementë dhe sigurisht në vjeshtë do të verifikohet edhe përzgjedhja që është bërë, sepse gjykoj se do të bëhet një analizë e hollësishme e humbjes së 23 qershorit dhe do të krijohet një platformë e re e së djathtës”- thotë ai.
...