E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Mazhorancën e re ta rikthejmë në opozitë që në sekondat e para të mandatit tjetër”

15-07-2013 / Gazeta 55

Kryeministri publikon në Facebook mesazhin e të riut Sebastian Dema dhe rreshtohet në alternativën e opozicionit të fortë 

Në komunikimin e vazhdueshëm me miq në Facebook, kryeministri Sali Berisha ka publikuar dje mesazhin e të riut Sebastian Dema, për fillimin e ri të Partisë Demokratike dhe rikthimin e shpejtë në opozitë të mazhorancës së re. Nga faqja e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Berisha ka komentuar garën brenda PD dhe takimet e kandidatëve me dashamirës në anëtarësinë demokrate. Kësaj here Berisha ka sjellë si shembull mesazhin e të riut i cili mbart optimizmin prej demokrati, në mënyrë që, “këta që erdhën në pushtet t’i bëjmë prapë opozitë që në sekondat e para të mandatit tjetër”. “Të dashur miq, duke ju ndjekur çdo ditë tek mbushni sallat në takimet me kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike, me vijnë vetishëm në mendje fjalët e të riut Sebastian Dema që në mesazhin e tij një javë më parë më shkruan: “Unë jam shumë i ri dhe që nga viti 2005 nuk isha mësuar me humbjen e partisë me të cilën jam lidhur. Por, dua të të them të vërtetën, nuk e di se si, por që nga dita që u mor vesh humbja në mënyrë të çuditshme ndjej në veten time një forcë, një energji që unë kurrë nuk e kam ndjerë ndonjëherë për të bërë gjithçka që këta që erdhën në pushtet t’i bëjmë prapë opozitë që në sekondat e para të mandatit tjetër, Sebastian Dema”. Pra duke lexuar fjalët e Sebastianit sot për në demokratet nuk mund të ketë koment tjetër veçse: Të gjithë jemi Sebastian! Përpara”, thekson kryeministri Berisha. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›