Angjeli: Rreziqet e buxhetit të ri
Ish-ministri i Financave në qeverinë socialiste, Anastas Angjeli, parashikon disa rreziqe me të cilat mund të ballafaqohet buxheti i këtij viti. “Arsyeja më kryesore është mungesa në të ardhurat buxhetore, që është e lidhur drejtpërsëdrejti me dy elementë: Me elementin e trajnimit dhe tkurrjes së rritjes ekonomike dhe me një apati të administratës fiskale në mbledhjen e të ardhurave”, u shpreh për TCH, Angjeli. Qeveria ka përgatitur një plan për shkurtimin e investimeve 25 për qind për të ulur borxhin publik, por nga ana tjetër ka nisur rritjen e pensioneve dhe pritet edhe një rritje e pagave. Angjeli thotë se ky nuk është skenari më i mirë, pasi frenohet rritja ekonomike. “Së pari do të ketë një ndikim negativ në investime, për rrjedhojë edhe në rritjen ekonomike, së dyti do të ketë një ndikim në uljen e të ardhurave dhe të mendosh që të ulësh të ardhurat, pavarësisht nga një skenar tejet optimist që kishte parashikuar qeveria, që nuk është më i përshtatshmi”, u shpreh Angjeli. Ish-ministri socialist thotë se debati i sotëm për buxhetin është zhgënjyes edhe për shkak të krizës politike. Ai e këshillon qeverinë të zgjerojë spektrin e politikave të saj. “Gara që shpallet gjithnjë për realizim apo mosrealizim të treguesve, duhet të fokusohet në një harmonizim të politikave ekonomike me ato financiare, në një prononcim të prioriteteve dhe objektivave të qarta”, tha Angjeli.
#