E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglezët në krizë

Skuadrat angleze kanë zhgënjyer sivjet në garat evropiane. Ekipet nga Manchesteri, United e City janë eliminuar në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, ndërsa rrugës së tyre po shkojnë edhe Chelsea e Arsenali, që i humbën ndeshjet e para në të tetën e finales. Menaxheri i ‘Topçinjve’, Arsene Wenger, e ka analizuar krizën e skuadrave të Premierligës. Ai mendon se arsyeja qëndron në faktin se futbolli anglez ka rënie dhe se skuadrat nga vendet tjera janë përforcuar.

Futbolli anglez gjendet në krizë të rezultateve në arenën ndërkombëtare këtë sezon. Kryesuesit e Premierligës, Manchester City dhe Manchester United janë eliminuar befasisht qysh në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, kurse rrugën e tyre mund ta ndjekin shumë shpejt edhe Chelsea dhe Arsenali, të cilët pësuan humbje në ndeshjet e para të së tetës së finales nga ekipet italiane.

I pari u mposht 3:1 nga Napoli, kurse i dyti u dërrmua nga Milani, 4:0. Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, e ka analizuar gjendjen e klubeve angleze këtë sezon në rubrikën e përjavshme të Eurosport.com, ku shkruan vazhdimisht për tema të caktuara.

“Manchester United tashmë e ka lënë Ligën e Kampionëve, duke dalë nga ajo në fazën e parë, njëjtë si Manchester City. Chelsea ka mundësi 60 për qind të eliminohet, kurse Arsenali është 95 për qind jashtë, pas humbjes së thellë nga Milani. Për Anglinë do të ishte shokuese të mbetej aq shpejt pa përfaqësues në Ligën e Kampionëve”, shkruan trajneri francez.

Wenger i ka treguar edhe arsyet, për të cilat mendon se ka ndodhur një rënie drastike e skuadrave angleze, të cilat në dekadën e fundit e kanë thënë fjalën kryesore në futbollit evropian, sidomos Manchester Unitedi, i cili vazhdimisht shkonte deri në gjysmëfinale.

“Shpjegimi im për këtë rënie të rezultateve, përpos faktit që niveli i futbollit anglez ka rënie, është përmirësimi i standardit gjeneral të skuadrave nga vendet tjera. Në Itali ka rifilluar të punohet mirë, edhe në Gjermani e Francë po konsolidohen ekipet”, vazhdoi ai.

“Për këtë distanca ndërmjet tyre me Anglinë është shkurtuar dukshëm. United shpesh ka zgjedhur t’i pushojë lojtarët edhe në Champions, por këtë vit, duke e parë rritjen e skuadrave tjera, kjo strategji nuk funksionoi”, përfundoi Wenger.

Liga e Kampionëve do të rikthehet javën e ardhshme me ndeshjet e kthimit të së tetës së finales. Chelsea do të mundohet ta rikthejë disavantazhin nga ndeshja e parë me Napolin, edhe pse do ta ketë mjaft të vështirë. Në anën tjetër, punë edhe më të vështirë do të ketë Arsenali, i cili duket se e ka të pamundur ta rikthejë rezultatin pas humbjes së thellë në San Siro.

Nëse ndodh që edhe këto dy ekipe të eliminohen, atëherë Anglia do të ‘ngushëllohej’ me Europa League, ku po luajnë dy Manchesterët. Nuk mbahet në mend kur skuadrat angleze kanë qenë më të varfra në garat evropiane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›