E Diel, 1 Nëntor 2026

Anglezit Ian Loring i akordohet titulli ‘Qytetar nderi i Korçës’

KORCË - Këshilli Bashkiak i Korçës i ka akorduar titullin "Qytetar nderi i Korçës" anglezit Ian Loring, me motivacionin "Kontribut humanitar për shtresat në nevojë në qytetin e Korçës". 

Ian Loring është një qytetar anglez, i cili prej vitit 1991 jeton në Korçë, ku ka dhënë kontributin e tij të vecantë në ngritjen e një qendre sociale për strehimin dhe trajtimin e vajzave të trafikuara e të dhunuara, por kujdes të vecantë i ka kushtuar edhe moshës së tretë.

Titulli iu dorëzua kreut të fondacionit "Kenedi", nga kryetari i Bashkisë, Niko Peleshi në një aktivitet të posaçëm. 

Efektin social të projekteve të fondacionit “Kenedi” e ndjejnë individët e përfshirë në to e që vijnë nga shtresat më në nevojë të shoqërisë. Pikërisht, përcaktimi i saktë i problematikave sociale që trashëgonte apo “prodhonte” shoqëria, si dhe individëve apo grupeve sociale që kanë nevojë për asistencë, ka qenë dhe është gjithmonë çelësi i suksesit të punës së Ian Loring. 

Kriza kosovore ishte një prej provave më domethënëse të kontributit të madh të fondacionit "Kenedi". Përballimi i saj edhe si emergjencë civile nga qytetarët korcarë, u mbështet jo vetëm moralisht, por edhe me ndihma të konsiderueshme materiale nga fondacioni i udhëhequr prej z.Loring. 

Sot fondacioni “Kenedi” është një institucion i konsoliduar e prestigjoz në qytet, me shtrirje edhe në fshat, me disa projekte permanente që kanë krijuar një traditë shtesë të kujdesit për njeriun dhe edukimin, si dhe një partner lokal në aktivitete sociale, kulturore e sportive. Një staf i organizuar mirë dhe i përkushtuar, të rinj të punësuar ose vullnetarë, midis tyre edhe qytetarë të huaj, sigurojnë funksionimin e gjithë veprimtarive. 

Së shpejti fondacioni do të verë në funksionim një investim serioz, shtëpinë e të moshuarve, duke sjellë njëkohësisht një frymë e kulturë të re të kujdesit për moshën e tretë. Gjithçka nën frymëzimin, preokupimin dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të z. Ian Loring. 

Vlerësimi i aktivitetit dhe personalitetit të tij me këtë titull, është shprehje simbolike e mirënjohjes së qytetarëve korçarë për kontributin e tij shumëvjeçar në qytetin e Korçës.

(el.me/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›