Angli, humbja e parë për Roberto Mançinin
ANGLI- Kriza që ka përfshirë Liverpulin nuk njeh kufij. Dje, skuadra e drejtuar nga Rafa Benitez nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 në fushën e Stokes, por ajo që ra në sy, ishte loja tepër e dobët e saj. Të kuqtë shënuan të parët në minutën e 57-të me anë të grekut Qirjakos pas një rrëmuje në zonë e krijuar në zhvillimet e një goditje dënimi. Ndërkohë, kur mendohej se fitorja ishte arritur, në minutën e fundit, Stoke arriti të barazonte me Robert Huth pas një goditje këndi. Liverpuli luante pa Xherard e Torres dhe haste vështirësi në krijimin e çdo aksioni. Megjithatë në fund, Dirk Kajt mund të kishte shënuar vetëm me portën, por goditi shtyllën me kokë. Në takimet e tjera, spikat fitorja 7-2 e çelsit ndaj Sandërlendit, pas një dominimi absolut të skuadrës së Ançelotit. Hapin e bluve e ruajti edhe Mançesteri, që mposhti 3-0 Bërnlein në pjesën e dytë, falë golave të Berbatov, Runit dhe Diuf. “Djajtë e Kuq” hasën jo pak vështirësi në pjesën e parë, pasi miqtë qëndruan të mbyllur në mbrojtje, ndërsa në të dytën dominuan totalisht. Ndërkaq, Totenhemi nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në shtëpi ndaj Hullit, kurse Uigani fitoi 2-0 në transfertë me Ulvs. Po dje ka ardhur edhe humbja e parë e Mançester Sitit me Roberto Mançinin. “Citizens” u mundën 2-0 nga Evertoni në transfertë, falë golave të Stiven Pienar e Luis Saha.(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)