Angli, moti i keq shkakton përmbytje
Përmbytje të shumta kanë përfshirë Skocinë, veriun e Anglisë dhe Uellsin ditën e enjte, teksa parashikohen reshje të mëtejshme shiu në ditët në vazhdim, të cilat mund të ndikojnë në shtimin e përmbytjeve. Agjencia meteorologjike ka paralajmëruar që të qëndrojnë në gatishmëri 27 lokalitete në të gjithë Britaninë e Madhe, vecanërisht në Anglinë veriperëndimore. Plot pesë zona në Kumbria dhe tre të tjera në Skoci kanë lajmëruar për një alarm serioz përmbytjeje. Këto përmbytje rrezikojnë të shkaktojnë dëme të shumta materiale, por edhe në jetë njerëish. Zyra meteorologjike në Britani ka njoftuar se po punonte ngushtë me autoritetet lokale dhe shërbimet e emergjencës për t'u siguruar se janë të përgatitur nga cdo e papritur. Sipas njoftimeve, më shumë se 200 milimetër shi kanë rënë në lartësitë e zonës së Kumbrias. Në Uells, priten stuhi të mëdha ere dhe shiu, të cilat mund të sjellin përmbytje të mëdha në Kumbria, Damfris dhe Gallouei.