E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazi, Timoshenko takohet me Putin

Kryeministrja e Ukrainës Julia Timoshenko dhe homologu i saj rus Vladimir Putin u takuan të enjten për zhvillimin e bisedimeve, për të cilat Bashkimi Europian shpreson se do të evitojnë një konflikt të mundshëm për furnizimin e konsumatorëve europianë me gazin rus. Dy liderët nënshkruan një marrëveshje janarin e këtij viti, me anë të të cilit i dhanë fund një konflikti për çmimin e gazit, për të cilin Rusia ndaloi për rreth dy javë furnizimet e Europës me gaz përmes Ukrainës në mes të dimrit. Miliona banorë në jug të Europës mbetën pa ngrohje për shkak të këtij konflikti. Por marrëdhëniet mes Rusisë dhe republikës së ish-Bashkimit Sovjetik janë lëkundur kohët e fundit. Marrëveshja e gazit me Rusinë, është kthyer në një luftë të brendshme në Ukrainë mes Timoshenkos dhe rivalit të saj, Presidentit Viktor Jushçenko. Edhe pse Ukraina i ka paguar në kohë faturat e gazit rus, Timoshenko i trembet faktit se duke parë gjendjen e ekonomisë së vendit, pagesa e çdo muaji e këtyre faturave, do të jetë shumë e vështirë. Megjithatë ajo shprehet se kontrata 10-vjeçare e furnizimit me gaz nga Rusia nuk do të ndryshohet dhe nuk do të ndikojë në furnizimet e vitit 2010. Ndërkohë që Putin e ka rritur disi temperaturën e bisedimeve, duke u shprehur se Rusia do të ndërpresë furnizimet me gaz drejt Ukrainës nëse kjo e fundit nuk do të paguajë në kohë tranzitin e gazit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›