E Diel, 1 Nëntor 2026

Angli, rikthehen “Djajtë”, Liverpuli ngec në shtëpi

Mançester Junajtid rikthehet të buzëqeshë, pas disfatës 2-3 të pësuar një javë më parë nga Totenhemi në shtëpi. “Djajtë e Kuq” kanë mundur 3-0 Njukasëllin, në një transfertë që mendohej tepër e vështirë për skuadrën e Aleks Ferguson.

Junajtid ka zgjidhur gjithçka që në 15 minutat e para, kur Xhoni Evans e Patris Evra kanë shënuar dy herë, duke e kthyer ndeshjen në një formalitet për këtë skuadrën.

Në pjesën e dytë Njukasëlli u duk se shënoi një gol me Cise, por arbitri nuk e akordoi edhe pse dyshimet ishin të mëdha, pasi topi u duk se e kaloi vijën fatale.

Për të mbyllur llogaritë mendoi Kleverli, që në minutën e 71-të shënoi golin e tretë. Ndërkohë, vazhdon momenti i artë i Totenhemit, që dje mundi 2-0 Aston Vilën në shtëpi.

Gjithçka ka ndodhur në pjesën e dytë, kur Kolker e Lenon shënuan dy herë. Ndërkohë, tjetër gabim i Liverpulit, që nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në shtëpi, kundër Stouk Sitit. Ndërkohë, barazim 2-2 në sfidën Sauthempton-Fulham.

(a.k/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›