E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me Suedinë, pesë ndryshime nga trajneri holandez

Pritet kthimi i portierit Lika, mbrojtësit Beqiri, mesfushorit Bylykbashi, sulmuesve Berisha e Bogdani

Idetë e trajnerit të kombëtares, Ari Han, për ndeshjen e parë eliminatore me Suedinë, janë të qarta. Edhe pse u fol për lënien jashtë të disa lojtarëve, mësohet se lista anti-Suedi do të ketë surpriza. Kjo e fundit, tashmë i është dorëzuar FSHF-së nga vetë trajneri dhe, sipas burimeve jozyrtare, bëhet fjalë për kthime të bujshme në kombëtare. Ato nisin që nga reparti i portës. Në këtë fundit, Ilion Lika, që aktualisht luan te Tereku i Groznit, është pranë rikthimit. Ish-portieri i Dinamos po kalon një formë të shkëlqyer në kampionatin rus, teksa ka tërhequr vëmendjen e skuadrave elitare, si ajo e ukrainasve të Dinamos së Kievit. Një rikthimi tjetër te kuqezinjtë ka të bëjë me mbrojtësin Elvin Beqiri, i cili pas dëmtimit të rëndë, u është kthyer ditëve më të mira me Vllazninë, aty ku fitoi edhe kombëtaren, në kohën kur ajo drejtohej nga gjermani Hans Peter Brigel. Ndërkohë, për të tjerat, kthimi i sulmuesit Besart Berisha është i sigurt. Mësohet se trajneri Han e pëlqen lojën e biondit dhe tani, pas ndeshjes miqësore me Lihtenshteinin, është bindur se Berisha është i domosdoshëm. Duke qëndruar te reparti ofensiv, Dorian Bylykbashi është e reja tjetër. Fantazisti shqiptar, që mban shiritin e kapitenit tek Krivbasi, ishte lënë jashtë listës për miqësoren e fundit. Dhe në fund, çështja "Bogdani", me shumë mundësi do të nxjerrë fitues lojtarin. "Trajneri e ka me dy mendje, por të gjitha arsyet të çojnë se Bogdani do të jetë patjetër me Suedinë. Ai është në listën e madhe për dy ndeshjet,"- tregojnë burime të rezervuara në FSHF. Zhgënjimi me Lihtenshteinin dhe ndeshja shumë e rëndësishme me Suedinë, kanë bërë që holandezi t'i shikojë si më se të domosdoshme ndryshimet, për të arritur një rezultat pozitiv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›