Komiteti Ekzekutiv i jep "ok"-in aktivitetit
U zhvillua dje mbledhja e fundit e komitetit ekzekutiv të FSHF-së, në prag të sezonit të ri futbollistik, i cili nis zyrtarisht këtë të diel, teksa ceremonia do të zhvillohet në Shkodër. Anëtarët e KE-së kishin në tavolinë disa pika për të shqyrtuar, ku më kryesorja ishte miratimi i top-listës së gjyqtarëve. Siç është rënë dakord në mbledhjen e kaluar, 10 "bluza të zeza" do të konsiderohen "gjyqtarë elitarë", me diferencë pagese nga të tjerët. Kështu, sipas burimeve të sigurta në FSHF, ata do të paguhen me nga 250 mijë lekë për ndeshje. Në lidhje me këtë pikë, dje KE-ja miratoi edhe fondin shtesë për pagesat e gjyqtarëve. Për kategorinë elitë, edhe gjyqtarët e tjerë apo asistentët, bashkë me vëzhguesit, do të paguhen më shumë në këtë sezon. Ndërkohë, komiteti nuk kishte si të mos bënte amnisti për futbollistët. Këtë fat e kanë pasur katër lojtarë të Albpetrolit, si dhe Bledar Devolli i Tiranës, që u dënua sezonin e kaluar, kur i përkiste Partizanit. Përveç shqyrtimit të atyre pikave që ishin në rend të ditës, anëtarët e komitetit ekzekutiv diskutuan edhe për kombëtaren. Burime të sigurta tregojnë se janë përmendur edhe emra lojtarësh, të cilët trajneri Ari Han nuk i ka thirrur në ndeshjen e fundit miqësore. Anëtarët e KE-së kërkuan mobilizim të madh nga ana e të gjitha strukturave që kanë lidhje me kombëtaren, me shpresën e arritjes së një rezultati pozitiv në ndeshjen e parë eliminatore me Suedinë, që luhet më 6 shtator në "Qemal Stafa".