E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britma e trajnerit Han: Ç'dreq futbolli është ky!?

Në pushim të ndeshjes, në dhomat e zhveshjes, trajneri kuqezika kërkuar të shënohen të paktën edhe dy gola të tjerë

I pakënaqur ndaj lojës, aq më tepër për veprimet e individëve të veçantë. Trajneri i kombëtares, Ari Han, ka shprehur zhgënjimin e tij te lojtarët, që në pushim të pjesës së parë, duke e parandier atë që do të ndodhte në vazhdim. Në dhomat e zhveshjes, fjalët e tij, aq më tepër të përkthyesit Ajet Xeka, dëgjoheshin shumë qartë. Holandezi, me tone tepër kritike ndaj kuqezinjve, bëri të ditur se kështu nuk mund të luhet futboll. Hani ishte i drejpërdrejtë, sidomos me mesfushorin Klodian Duro. Kishte kërkuar lojë nga krahët, por kjo nuk u realizua. Fiksimi i trajnerit kuqezi ishte pse mbahej kaq shumë topi. Duke parë kundërshtarin mjaft modest, ai kërkoi që pjesën e dytë të shënoheshin të paktën dy gola më shumë, ndërkohë që kuqezinjtë nuk mundën të realizonin qoftë edhe një. Burime të sigurta pranë trajnerit, treguan bisedën e tij me lojtarët në pushim të pjesës së parë.

Ja çfarë tha Ari Han: "Si ndiheni, keni lodhje? Patët ndonjë impresion të veçantë për pjesën e parë, apo jo? (Futbollistët nuk flasin). Në radhë të parë, kërkoj nga ju gjakftohtësi në lojë dhe lirshmëri në veprime (biseda me tone të larta). Ç'dreq futbolli është ky (i drejtohet Duros), duke e rrotulluar topin rreth vetes? Kundërshtari hyn dhe e ka shumë të lehtë të ta marrë topin. Nuk mund të vazhdojmë kështu, nuk është kjo loja që dëshiroj. Më vjen shumë keq që luani në këtë mënyrë, ku secili për hesap të vet kërkon të tregojë vlerat e tij me mbajtje të topit. Pasimi është gjëja më kryesore në një ndeshje, besoj se e kuptoni. Kërkoj që pjesa e dytë të jetë një ndryshim i madh. Unë pres që të shënohen mbi dy gola, për t'u treguar kundërshtarëve që jemi një ekip që dimë të shënojmë. Duke shënuar sa më shumë gola, ju dilni edhe nga vetvetja, pasi do të çliroheni nga presioni i ndeshjes. Në këtë mënyrë do t'ju duket ndeshja më e lirshme. Nuk e kuptoj pse luani kaq me frikë në një ndeshje kaq të lehtë. Ju lutem, a e shikoni se çfarë kundërshtari modest kemi përballë? Eshtë fatkeqësi ta ngurtësoni veten në një ndeshje të tillë. Atëherë, më thoni, çfarë duhet të bëni me Suedinë, që është një kundërshtar shumë herë më i fortë se Lihtenshteini? Përfundimisht jam i pakënaqur me lojën gjatë pjesës së parë. Dua që në 45 minutat e dyta të keni epërsi të dukshme, falë lojës së sulmuesve nga krahët. Do të bëjmë një ndryshim. Në mesfushë do të dalë Cana me Currin dhe dua që të bëni mbi dy gola."

----------------------------------------------Hani gjen vetëm Hykën e Canën te dhomat e zhveshjes

Menjëherë pas konferencës për shtyp, trajneri kuqezi shkoi në dhomat e zhveshjes për të takuar futbollistët, por aty gjeti vetëm Lorik Canën dhe Jahmir Hykën. I shoqëruar nga ndihmësi i tij, Nikolas De Bre, dhe përkthyesi Ajet Xeka, holandezi i pankinës kuqezi u trishtua jo pak kur pa dhomën të boshatisur. Gjithçka u bë në prani të mediave, që prisnin lojtarët për t'i intervistuar.

Vendimet e komitetit ekzekutiv

- Miratohet lista e arbitrave, asistentëve, vëzhguesve dhe delegatëve të ndeshjeve për sezonin 2008-2009.

- Miratohet shtesa e fondit për pagesat e arbitrave, asistentëve të tyre dhe vëzhguesve.

- Miratohet lidhja e kontratës me stadiumin "Qemal Stafa", për marrjen me qira, për ndeshjet përfaqësueses shqiptare, si dhe investimin që FSHF-ja do të bëjë në këtë impiant.

- Miratohen ndryshimet në rregulloren e statusit dhe transfertës së lojtarit.

- Miratohet mbështetja financiare për rinovimin e fushës së stadiumit "Niko Dovana" të Durësit.

- Falet dënimi i mbetur i futbollistit Bledar Devolli.

- U falet dënimi i mbetur futbollistëve të Albpetrolit: Elton Halili, Altjon Llanaj, Eduard Isufi dhe Sajmir Rexha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›