E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglia, 3.5 miliardë euro borxhe

Më shumë se 3,5 miliardë euro borxhe: futbolli anglez përjeton fazën e agonisë. Shifrat janë përllogaritur nga analistët, njohës shumë të mirë të situatës. Edhe futbolli i ishullit po kalon periudhë të vështirë. Ndër më të prekurit duket se është Liverpuli, i cili do të jetë i detyruar të shesë lojtarët e tij më të çmuar për t‘u stabilizuar në harkun e dy muajve, për shkak të borxheve që u ka bankave. Alarmi është dhënë përmes "The Independent" dhe "Times", nga Keith Harris, një nga analistët financiarë më influentë në Angli, ai që solli Roman Abramoviçin te Çelsi dhe që tani po kërkon blerës të mundshëm për Evertonin dhe Njukasëllin. "Liverpul është me siguri klubi më i prekur në të gjithë Premier League, ka shpjeguar eksperti, duke folur në ‘International Football Arena‘ në Zyrih, sepse dy investitorët kryesorë të tij (‘Royal Bank of Scotland‘ dhe ‘Wachovia‘) janë mes shoqërive në të goditura nga kriza financiare dhe mund të mos jenë në gjendje të përballojnë borxhe të tjera. Pa investime të reja, Tom Hiks e Xhorxh Gilet do të duhet të shesin lojtarë. Por nëse askush nuk do të financojë përsëri, nëse nuk do të gjejnë investitorë të rinj, do të jenë bankat ato që do ta marrin klubin".

SHIFRA ALARMANTE - Me të dhënat në dorë, shqetësimet e Harris duken konkrete, meqë përfitimet e Liverpulit mbulojnë me vështirësi pagesën e interesave që rëndojnë mbi klubin. Tashmë janë 425 milionë euro borxhe. Një shifër kolosale. Sigurisht nuk mund të ketë moment më të keq se ky për Hiks e Gilet, ngaqë dy amerikanët po tentojnë ta shesin klubin brenda 25 janarit, datë në të cilën RBS ("Royal Bank of Scotland") do të vendosë nëse mund ta shtyjë edhe për 6 muaj mbledhjen e borxheve. Disa javë më parë qarkullonte një zë, sipas të cilit ekziston një blerës i mundshëm i interesuar për Liverpulin, por oferta e vënë në tavolinë nuk ishte më e madhe se 500 milionë sterlina (gati 610 milionë euro). Grupi nga Dubai ("Dubai International Capital") ishte i gatshëm ta derdhte këtë shumë, por dy amerikanët e kanë refuzuar. Duke qëndruar te situata ekonomike jo e mirë, tashmë është në dyshim ndërtimi i stadiumit të ri "Stanley Park", por edhe rinovimi i kontratës së Rafa Benitez për pesë vite, ashtu siç kërkon vetë trajneri spanjoll. Ndryshe, trajneri rrezikon të largohet dhe ndoshta së bashku me të edhe lojtarët më të rëndësishëm.

ÇELSI E MANÇESTER - Një situatë paradoksale, për të mos thënë dramatike për futbollin anglez, pasi në krizë janë dhe shumë skuadra të tjera, ku përfshihen edhe Çelsi, Mançester Junajted, Uest Hem etj. Çfarë do të ndodhte nëse Roman Abramoviç një ditë do të linte Çelsin? "Blues" kanë gati 800 milionë euro borxhe, një vrimë e zezë që mund t‘i shkatërrojë. Gjithçka pra varet nga "cari". Jo se kampioni i Evropës, Mançester Junajted, ia kalon më mirë: edhe prezenca ose jo e Malkom Glazer mund të ndryshojë fatin e klubit, që ka bilanc negativ prej 770 milionë eurosh. Ndërkohë që në një situatë më të keqe është Uest Hemi. Ai është klubi që rrezikon më shumë, madje tashmë është bërë i njohur fakti se pronari Bjorgolfur Gudmundsson e ka nxjerrë në shitje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›