Real Madrid, shansi i fundit për Shuster
Për të dytën herë në historinë e shkëlqyer të klubit, Reali i Madridit eliminohet nga Kupa e Mbretit prej një skuadre të kategorisë së tretë. "Vrasëse" e kampionëve të Spanjës është Real Union, një klub që në vitet 1910 dhe 1920 i kishte mposhtur madrilenët në finalen e këtij trofeu. Megjithatë, kjo kishte ndodhur afro një shekull më parë. Të martën në mbrëmje, në "Santiago Bernabeu", të besuarit e Shuster fituan 4-3, por ky rezultat nuk mjaftoi për të kaluar në turin tjetër, pasi në sfidën e parë ata kishin humbur 3-2. Një eliminim i turpshëm, ku si detaj për të krijuar një ide të diferencës ndërmjet skuadrave është buxheti sezonal: 400 milionë euro ai i Realit të Madridit, përballë 1,5 milionë eurove të Real Union. Gazeta "Marca" shkruante se si skuadra modeste kishte zhvilluar një "udhëtim turistik" në kryeqytetin iberik përpara ndeshjes në "Santiago Bernabeu". Ata kishin vizituar muzeun e "merengues", ku ekspozohen nëntë Kupat e Kampioneve dhe bënë foto si skuadër në redaksinë e të përditshmes spanjolle. Madje, për sfidën e kthimit, tekniku i Union, Injaki Alonso, la pushim nëntë nga 11 "heronjtë" e fitores 3-2: duke përfshirë këtu Huan Dominguez (autor i dy golave) dhe Goikoetksea (autor i një goli). Por, edhe kundër rezervave të skuadrës së kategorisë së tretë, madrilenët zhgënjyen. Gjatë gjithë ndeshjes ata e ndjenë veten të kualifikuar vetëm për 4 minuta (nga e 86-ta në të 90-ën), kur 30-vjeçari Eneko Romo Aragoa realizoi rrjetën historike që vulosi rezultatin 4-3. As tri golat e Raul nuk i shërbyen teknikut Bernd Shuster, që tashmë rrezikon seriozisht të largohet nga drejtimi i skuadrës. Pozitat e tij nuk ishin komode që prej javës së kaluar, por humbja me një ekip të nivelit amator është e papranueshme për bordin drejtues. Pas eliminimit nga Kupa ata organizuan një takim urgjent, për të diskutuar situatën kritike që po kalon skuadra. Në përfundim u vendos që Shusterit t‘i jepet një shans i fundit dhe e ardhmja e tij do të varet nga rezultati në ndeshjen e së shtunës, kur Reali luan në fushën e Vajadolidit. Dy emrat që shihen si kandidatët potencialë për të marrë drejtimin e "merengues" janë Huande Ramos (i larguar vetëm pak ditë më parë nga Totenhemi) dhe Migel Angel Portugal, ish-trajner i Rasing Santander. Sipas disa spekulimeve, si kandidat për trajner ishte edhe Frenk Rajkard, por emërimi i holandezit (ish-trajneri i Barçës), duket i pamundur për t‘u realizuar.