E Diel, 1 Nëntor 2026

"Shqipëria në Evropianin me 24 skuadra"

Përpara largimit nga Shqipëria, Mishel Platini mbajti fjalën hapëse në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, e cila u zhvillua dje në Tiranë. Presidenti i UEFA-s vlerësoi hapat përpara që ka bërë futbolli shqiptar në këto vitet e fundit, madje deklaroi se rritja e numrit të skuadrave pjesëmarrëse në Kampionatin Evropian është një shans i mirë për Kombëtaren, që të kualifikohet në fazën finale të një aktiviteti madhor. Më 25 shtator të këtij viti, Komiteti Ekzekutiv i UEFA vendosi se në Euro 2016 do të marrin pjesë 24 skuadra (nga 16 që luajnë në këtë kompeticion), një ndryshim që u mbështet thuajse nga të gjithë anëtarët. Duke iu drejtuar përfaqësuesve të klubeve shqiptare, drejtuesi më i lartë i futbollit në kontinent, deklaroi: "Nuk kam luajtur asnjëherë në Shqipëri, megjithatë e kam të qartë sa e doni futbollin ju si popull. E di se çfarë entuziazmi e rrethon futbollin në vendin tuaj. UEFA ka ndërmarrë gjithmonë programe që të ndihmojë zhvillimin e lojës në vendet e vogla dhe kemi punuar që emocionet e kësaj loje të mrekullueshme të përjetohen nga të gjithë tifozët. Në të ardhmen e afërt, në fazën finale të Kampionatit Evropian, do të kualifikohen 24 skuadra, nga 16 që marrin pjesë me formulën aktuale dhe ky ndryshim i jep më shumë shanse për kualifikim vendeve të vogla, që, ashtu si Shqipëria, kanë një pasion shumë të madh për futbollin". Më tej, Platini tha edhe frazën që ngacmon fantazinë e të gjithë shqiptarëve. Dëshirën që deri më tani duket e parealizueshme: "Nuk do të habitesha aspak në rast se Kombëtarja juaj do të ishte mes skuadrave që do të kualifikoheshin në Evropianin me 24 skuadra. Ju keni bërë hapa gjigandë përpara dhe këtë e tregon ecuria në grupin eliminator të Botërorit 2010, ku Shqipëria barazoi 0-0 në fushën e Portugalisë. Për këtë, dua të falënderoj edhe trajnerin e Kombëtares suaj (Ari Han), të cilin e kam ndjekur që nga koha kur luante me Ajaksin e Amsterdamit. Isha i vogël dhe më bënin të ëndërroja. Një përfaqësuese që paraqitet mirë në arenën ndërkombëtare, është shenjë e pakontestueshme se Federata e Futbollit gëzon ‘shëndet të plotë‘". Një tjetër hap i rëndësishëm për t‘i hapur rrugën vendeve të vogla drejt futbollit të madh në "Kontinentin e Vjetër" është edhe zgjerimi i Ligës së Kampioneve. Në të ardhmen, në fazën e grupeve do të marrin pjesë pesë skuadra më shumë (kampione të shteteve me Liga më të vogla).

Më tej, ish-legjenda e futbollit francez preku temën e konfliktit ndërmjet federatave të ndryshme evropiane dhe qeverive (problem, i cili solli edhe në pezullimin e Shqipërisë nga arena ndërkombëtare). "UEFA është shumë krenare për demokracinë e saj", vazhdoi më tej Platini. "Kjo demokraci vjen si derivat i demokracisë që 53 federatat anëtare kanë. Besueshmëria jonë si organizatë sportive varet nga kjo demokraci. UEFA është një familje e madhe dhe e bashkuar, ku nuk ekzistojnë privilegjet apo trajtimet preferiencialë: një shtëpi, ku federatat e vogla dhe me të ardhura financiare të kufizuara trajtohen njësoj si federatat e mëdha. Shifrat financiare që përfitohen nga organizimi i aktiviteteve madhore ndahen në mënyrë të barabartë ndërmjet anëtarëve. Ne bashkëpunojmë me të gjitha qeveritë evropiane dhe e respektojmë me përpikmëri ligjin, por refuzojmë në mënyrë kategorike, që autoritetet publike të ndërhyjnë në pjesët që mbrohen nga statuti ynë. Dëshiroj të shfrytëzoj rastin për të vlerësuar devotshmërinë e UEFA-s dhe FIFA-s në ‘betejën‘ për mbrojtjen e pavarësisë së federatave anëtare kudo që ato ndodhen dhe në çdo kohë kur pavarësia e tyre cenohet". Në fund të fjalimit, kur erdhi koha për t‘u nisur drejt aeroportit të Rinasit për udhëtimin në Bullgari, nuk mungoi përshëndetja në gjuhën shqipe: "Faleminderit shumë". Largimi i presidentit të UEFA-s u shoqërua me duartrokitjet e të pranishmëve në Asamble.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›