E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglia, Kol e Karrik “luftë"me Kapelon

Mbrojtësi nuk i shtrëngon dorën, mesfushori luajti edhe pse mendohej i dëmtuar

Pas dështimit në Kupën e Botës 2010 dhe polemikave me të cilat është shoqëruar paraqitja e dobët në Afrikën e Jugut, përfaqësuesja angleze duket se ka dalë jashtë kontrollit. Kjo pavarësisht faktit se në krye të skuadrës qëndron një trajner i ashpër i Fabio Kapelo. Episodet më të fundit lidhen me finalen e “Community Shield”. Lojtari i çelsit, Ashli Kol ka injoruar prezencën e trajnerit në tribunën kryesore të stadiumit “Uembli”. Mbrojtësi ka kaluar përpara teknikut italian, i cili i kishte zgjatur dorën për ta takuar, dhe pa i hedhur sytë ka vazhduar ecjen. Problemi i dytë lidhet me mesfushorin e Mançester Junajtid, Majkëll Karrik, i cili mendohej se ishte i dëmtuar, por luajti 79 minuta në triumfin e “Djajve të Kuq”.

Fabio Kapelo duhet të impenjohet shumë për të sheshuar divergjencat brenda dhomave të zhveshjes. Ashli Kol është padyshim njëri prej futbollistëve anglezë që e ka përjetuar më keq zhgënjimin në Kupën e Botës. Pas mesazheve të shumta telefonike, ku menjëherë pas eliminimit, ai thoshte se e urrente Anglinë, tashmë mbrojtësi i është kundërvënë Kapelos. Gjatë kalimit në tribunën kryesore, në momentin e marrjes së medaljes së vendit të dytë pas humbjes 3-1 që çelsi pësoi me Mançester Junajtid, mbrojtësi blu ka bërë sikur nuk e ka parë trajnerin e përfaqësueses.

Kol kaloi përpara “Don Fabios” dhe nuk e ka kthyer kokën, pavarësisht se tekniku kishte zgjatur dorën që ta takonte. Pas këtij veprimi, mediat britanike theksonin se tani tekniku italian është plotësisht i izoluar në radhët e “Tre Luanëve”. Kjo konfirmon se në prag të eliminatoreve të Euro 2012, detyra kryesore e Kapelos është të rifitojë respektin dhe mbështetjen e skuadrës, mbi të gjitha të lojtarëve kryesorë. Në fakt, vetëm pak ditë më parë drejtuesi i stolit u përball me refuzimet e Ues Braun dhe Pol Robinson: mbrojtësi i Mançester Junajtid dhe portieri i Bllekbërn kanë refuzuar grumbullimin në Kombëtare. Ndërsa më parë nga ndeshjet ndërkombëtare ishte tërhequr sulmuesi Emil Heski. Pas injorimit nga Kol, të cilin Kapelo e kaloi me një buzëqeshje të sforcuar, ka ardhur edhe konfrontimi me Majkëll Karrik. Mesfushori figuronte i dëmtuar, por ai luajti 79 minuta të dielën. Trajneri i ka kërkuar shpjegime në tribunë lojtarit, ndërsa mes acarimit ka imituar gjestin e një telefonate, për të thënë se dëshironte që Karrik ta lajmëronte për gjendjen e tij.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›