Armend Dallku: Fitorja kundër Uzbekistanit, e rëndësishme
Armend Dallku shfaqet maksimalisht i motivuar për miqësoren që Shqipëria do të luajë nesër kundër Uzbekistanit. Edhe pse kundërshtari nuk është një skuadër më emër, sfida e së mërkurës në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit është mjaft e rëndësishme për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Josip Kuzhe. Ajo do të shërbejë si testi gjeneral përpara startit të eliminatoreve të Euro 2012, ku në dy ndeshjet e para të Grupit D, përfaqësuesja jonë do të luajë me Rumaninë (më 4 shtator në Bukuresht) dhe me Luksemburgun (më 8 shtator). Dallku kërkon me patjetër fitore, në mënyrë që skuadra të ruajë ecurinë pozitive të ndeshjeve të fundit, ndërsa beson se kjo do të mbante të lartë edhe moralin e lojtarëve kuqezinj. “Fitorja është shumë e rëndësishme për ne. Ky është objektivi i vetëm përballë Uzbekistanit, pasi kjo është një miqësore në të cilën duhet të marrim maksimumin, pavarësisht emrit të kundërshtarit”, deklaroi ai. “Natyrshëm që një fitore do të ndikonte për të ruajtur atmosferën pozitive që është krijuar në skuadër dhe si motivim për ndeshjet e ardhshme eliminatore, të cilat nisin pas më pak se një muaji”.
Mbrojtësi kuqezi vlerëson si motivim ekstra edhe faktin se Shqipëria do të luajë për herë të parë në Durrës. Me ndeshjen e Kombëtares, do të inaugurohen edhe rikonstruktimet në impiantin e stadiumit të qytetit bregdetar, ku më i rëndësishmi është padyshim vendosja e prozhektorëve (takimi do të nisë në orën 20.30). Por, zgjedhja e FSHF-së është bërë edhe për të garantuar sa më shumë tifozë në shkallët e stadiumit, duke përfituar nga mbipopullimi i plazhit të Durrësit nga pushuesit kosovarë. “Do të luajmë për herë të parë në Durrës dhe jam i sigurt se nuk do të na mungojë mbështetja e tifozerisë: ata kanë qenë gjithmonë pranë Kombëtares dhe ne do të japim maksimumin. Do të inaugurohet stadiumi dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë sa më mirë”. 27-vjeçari, i cili prej disa sezoneve është kthyer në një lojtar të paprekshëm në krahun e djathtë të mbrojtjes ka folur edhe për mungesën e Ervin Skelës, duke shpresuar që fantazisti të sistemohet sa më shpejt në një skuadër, në mënyrë që të japë kontributin e tij për Shqipërinë. “Besoj se Ervini do arrijë ta gjejë shumë shpejt një skuadër për të vazhduar karrierën. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për Kombëtaren. Do të na mungojë në këtë ndeshje, sepse dihet ndikimi i tij në lojën e skuadrës, përfundoi Dallku. Besoj se trajneri Kuzhe e ka marrë parasysh mungesën e tij dhe do të dijë ta zëvendësojë në fushën e lojës. Sido që të jetë, shpresoj që Skela ta zgjidhë sa më shpejt të ardhmen, në mënyrë që të jetë i gatshëm për ndeshjet eliminatore”.
#