Kapllani “shënjestron"rekordin e golave
Vetëm 24 orë pasi deklaroi se nuk paraqitet në Kombëtare sa për të plotësuar numrin, duke lënë të nënkuptohet se kërkon të jetë protagonist, Edmond Kapllani përcakton një objektiv edhe më ambicioz. Sulmuesi kërkon të thyejë rekordin e tij të golave brenda një edicioni me kuqezinjtë, atë të Euro 2008, kur ishte golashënuesi më i mirë i Shqipërisë me 5 rrjeta. “Kërkoj që në këto eliminatore të thyej rekordin tim të golave brenda një edicioni”, ishin fjalët e 28-vjeçarit, që për herë të fundit në kombëtare ka shënuar më 20 gusht 2008 kundër Lihtenshtejnit. Më tej, Kapllani ka folur edhe për sfidën e nesërme me Uzbekistanin: “Duam të fitojmë, në mënyrë që të vazhdojmë rrugën e nisur. Triumfi përballë Uzbekistanit është i rëndësishëm përpara eliminatoreve, ndërsa kjo ndeshje vlen edhe për trajnerin, për të përcaktuar titullarët dhe se cilët do të jenë lojtarët që do të aktivizohen si zëvendësues”. Për sa i takon të ardhmes dhe interesimit të Karlsruhes, sulmuesi theksoi se trajneri dhe klubi i Augsburgut synojnë shumë të ai për sezonin e ri.
#