E Shtunë, 31 Tetor 2026

Labinot Harbuzi, pasardhësi ideal i Skelës

Fantazisti që ka luajtur me U-21 të Suedisë, shpreh dëshirën për t’u veshur kuqezi

Dyshimet rreth së ardhmes së Ervin Skelës kanë shkaktuar mjaft dhimbje koke edhe për trajnerin Josip Kuzhe. Kjo për faktin se kapiteni i Kombëtares (në mungesë të Altin Lalës) ka refuzuar të përfaqësohet me fanellën kuqezi, deri në momentin kur do të gjejë një skuadër për sezonin e ri futbollistik. Një goditje e rëndë për përfaqësuesen, në prag të ndeshjeve eliminatore në Grupin D të Euro 2012. Megjithatë, Shqipëria ka një shans të mirë për ta zgjidhur këtë problem: alternativa për rolin e mesfushorit ofensiv është Labinot Harbuzi. 24-vjeçari i lindur në Prishtinë ka shprehur dëshirën që të përfaqësohet me Kombëtaren shqiptare në arenën ndërkombëtare. Këtë mesazh ai ia ka dërguar teknikut Kuzhe nëpërmjet Debatik Currit, me të cilin aktivizohet te turqit e Gençlerbirligi.
Sapo ka mbërritur në Tiranë nga Ankaraja, Curri ka zhvilluar një takim me drejtuesin e stolit kuqezi dhe menaxherin e Kombëtares, Denis Bastari. Mbrojtësi i ka komunikuar Kuzhesë dëshirën e Harbuzit për të luajtur me Shqipërinë, ndërsa i ka bërë kroatit edhe një përmbledhje të shkurtër të aftësive të lojtarit. Mesfushori cilësohet si pasardhësi ideal i Ervin Skelës, jo vetëm sepse mbulon të njëjtin rol në fushë, por edhe për faktin se ka kualitet të jashtëzakonshëm me topin dhe një vizion mjaft të mirë të lojës. Karrierën ai e ka nisur te suedezët e Malmo BI, akademia e të njëjtit klub ku është formuar edhe shoku i tij i mirë, Zlatan Ibrahimoviç. Duke qenë se cilësohej si një lojtar me talent të padiskutueshëm, Harbuzi u evidentua nga zbuluesit e talenteve të Malmo FF. Në moshën 15-vjeçare ai firmosi me klubin e mirënjohur holandez, Fejnord, ndërsa luante me skuadrën rezervë. Në vitin 2005 ai u transferua në formë huazimi te Ekscelsior, duke u aktivizuar në 9 ndeshje të kampionatit. Në vitin 2006, në moshën 20-vjeçare kthehet te Malmo FF, ku debutoi në “Allsvenskan” suedeze. Ai është bërë pjesë e historisë së kësaj skuadre, si shënuesi i golit të parë në stadiumin e ri, “Swedbank”. Më 11 korrik 2009, Harbuzi u transferua te Gençlerbirligi në Superligën turke. Edhe pse ka luajtur më pak se një sezon në këtë kampionat (u detyrua të qëndronte jashtë fushave deri në janar 2010, periudhë kur përfundoi edhe kontrata me Malmo FF-në), ai tërhoqi vëmendjen e klubeve të mëdha. Së fundmi për fantazistin është interesuar edhe Gallatasarai, skuadra ku militon Lorik Cana. klubi nga Stambolli ofronte 5 milionë euro, por drejtuesit e drejtuesit e Gençlerbirligisë pretendonin të paktën 8 milionë për të shitur kartonin e mesfushorit.

Në këtë mënyrë, Shqipëria duket se e ka gjetur pasardhësin e Skelës, që në rastin më të mirë do të luajë me ngjyrat kuqezi deri në fund të eliminatoreve të Euro 2012. Tashmë, topi i ka kaluar FSHF-së, e cila ka fjalën e fundit për të afruar në Kombëtare ish-lojtarin e përfaqësueses U-21 të Suedisë. Fakti që Harbuzi ka luajtur me shpresat e shtetit nordik pa zotëruar më parë pasaportën shqiptare mund të shkaktojnë vonesa në afrimin e 24-vjeçarit, por sipas rregullores së FIFA-s, lojtari nuk pengohet të luajë me Shqipërinë në nivel Kombëtaresh “A”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›