E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzaka kërkon hapësira: Ky është shansi i të rinjve

Mesfushori

Ashtu si edhe shumë lojtarë të tjerë të rinj, Gjergji Muzaka e sheh miqësoren e 11 gushtit si një shans për të pasur më tepër hapësira. 24-vjeçari numëron vetëm 4 ndeshje me fanellën kuqezi, të gjitha në miqësore, ndërsa me lojën e shfaqur në krahun e djathtë të mesfushës ka arritur ta bindë trajnerin Kuzhe, që ta bëjë pjesë të përhershme të kontingjentit të Kombëtares. “Sfida kundër Uzbekistanit është mjaft e rëndësishme, sepse ky është testi i fundit përpara eliminatoreve të Kampionatit Europian. Gjithashtu, ndeshje të tilla, me kundërshtarë që kanë një nivel më të dobët se Shqipëria, shërbejnë për t’u dhënë më shumë hapësira lojtarëve të rinj, të cilët nuk kanë pasur shumë mundësi për t’u aktivizuar. Në këtë mënyrë mund të vlerësohet edhe gjendja e të rinjve”, deklaroi mesfushori i Dinamos. “Lojtarët e kampionatit shqiptar kanë qenë gjithmonë furnizues të mirë të Kombëtares dhe të gjithë ata që ndodhen këtu e meritojnë grumbullimin”. I pyetur nëse lojtarët e Kategorisë Superiore janë më të avantazhuar në këtë ndeshje për faktin se mund të gëzojnë formë më të mirë se disa prej lojtarëve që luajnë jashtë vendit dhe janë pa skuadër, Muzaka tha: “Nuk e besoj, pasi lojtarët e grumbulluar janë më të mirët e mundshëm. Edhe nëse ndonjëri prej tyre nuk ka ende skuadër, mendoj se kjo është çështje kohe. Nga kjo ndeshje të gjithë do të përfitojmë ritmin e ndeshjeve, duke qenë se vijmë nga pushimet”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›