Curri fiton trofeun e parë në Turqi
Pas transferimit në Turqi, për të mbrojtur ngjyrat e Gençlerbirligi, Debatik Curri ka fituar trofeun e parë me skuadrën e tij të re. Të dielën në mbrëmje, mbrojtësi kuqezi është aktivizuar gjatë gjithë takimit, në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Ankarasë, që skuadra e drejtuar nga Tomas Doll fitoi me penallti përballë klubit tjetër të kryeqytetit turk, Ankaraguçu. 90 minutat e sfidës përfunduan në barazim pa gola, ndërsa lojtarët e Gençlerbirligisë u treguan më të saktë në ekzekutimin e 11-metërshave, duke fituar me shifrat 7-6. Në këtë ndeshje te Gençlerbirligi munguan dy shqiptarët e tjerë, Bekim Bala dhe Labinot Harbuzi. Sulmuesi shkodran, i transferuar te skuadra turke gjatë verës, nuk është aktivizuar as si zëvendësues, ndërsa mesfushori që është ofruar në Kombëtaren kuqezi, vazhdon të rikuperohet nga një dëmtim muskulor. Vetëm pak orë pas ndeshjes për Kupën e Ankarasë, Curri ka udhëtuar drejt Shqipërisë, për t’u vendosur nën urdhrat e trajnerit Josip Kuzhe, për miqësoren kundër Uzbekistanit.
#