E Diel, 1 Nëntor 2026

Anglia, Lampard: S’ka krizëmes skuadrës dhe Kapelos

JOHANESBURG- Kombëtares angleze duket se i është rikthyer humori pas barazimit zhgënjyes në shifrat 0-0 me Algjerinë. Për të ndjekur seancën e tyre stërvitore ka patur një interesim të jashtëzakonshëm nga ana e mediave, ndërkohë që futbollistët kanë mbrojtur trajnerin Kapelo për shkak të kritikave të shumta pas takimit me algjerianët.
Anglisë i duhet të fitojë me Slloveninë për të siguruar kalimin në turin tjetër dhe në fakt, një gjë e tillë nuk mendohet të jetë aq e lehtë duke parë formën e dobët të britanikëve. Kapelo ka patur një mbledhje me skuadrën dhe që sipas mediave ka folur me tone tepër të ashpra, por mesfushori Frenk Lampard e quajti atë një mbledhje normale dhe se raportet mes skuadrës e trajnerit italian nuk kanë ndryshuar aspak.
“Këto ditë është folur shumë për atë çfarë ka ndodhur pas Algjerisë, por po ju them se trajneri vetëm foli, na tregoi se bëmë një paraqitje të dobët, ne e pranuam dhe kaq. Nuk ka asnjë krizë në raportet mes lojtarëve dhe trajnerit. Kemi respekt për njëri-tjetrin dhe tani nuk duam asgjë tjetër përveçse të luajmë me Slloveninë dhe të fitojmë”, deklaroi Lampard.
Më 23 qershor Anglia do të ndeshet në Port Elizabet me skuadrën ballkanase, e cila kryeson grupin me 4 pikë. Frenk Lampard deklaroi se Anglia ka disa prej lojtarëve më të mirë të botës, por ata duhet të luajnë me të njëjtin shpirt si në Premier Ligë. Ndërkohë, BBC ka bërë të ditur se Federata Angleze do t’i kërkojë dorëheqjen Kapelos, në rast se Anglia nuk do të arrijë të kualifikohet për në turin tjetër.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›