E Diel, 1 Nëntor 2026

Anglia, barazim zhgënjyes Gafa e Grin frenon luanët

Të besuarit e Kapelos nuk paraqiten si pretendentë përballë SHBA-së

Start i jashtëzakonshëm dhe më pas një gabim fatal i portierit Robert Grin ka bërë që Anglia të debutojë me një barazim zhgënjyes në Afrikën e Jugut. Në stadiumin “Royal Bafokeng” të Rustenburgut, sfida ndërmjet “Tre Luanëve” të drejtuar nga Fabio Kapelo dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përfunduar me rezultatin 1-1. Serinë e golave e hapën britanikët, me rrjetën e Stiven Xherard, vetëm pas katër minutave lojë. Mesfushori përfitoi nga përgjumja e mbrojtjes kundërshtare dhe nuk ka gabuar. Megjithatë, amerikanët rikthejnë baraspeshën në të 40-n, falë një gabimi të pafalshëm të “gardianit” anglez, pas goditjes nga distanca të Dempseit. Një gafë e pabesueshme e Grin, i cili kishte fituar besimin e Kapelos dhe fitoi garën me Xhejms për t’u aktivizuar si titullar. Në sulm trajneri ka vendosur që Heski të ishte partner i Uejn Runit, ndërsa në krahun e majtë ai ka preferuar të aktivizojë Milner në vend të Xho Kol. Një zgjedhje që është korrigjuar, kur kronometri tregonte vetëm 30 minuta lojë: Milner nuk ka zbatuar detyrat taktike dhe në vend të tij në lojë u fut Rajt-Filips. Në skuadrën e SHBA-së, çerundolo fitoi balotazhin me Spektor në krahun e djathtë, ndërsa Findlej dhe Altidore ishin dyshja e sulmit.

Loja fillon me Anglinë, që dukej se po shkonte drejt një fitoreje të lehtë. Aksioni i bukur i Lampard dhe Runi sjell golin e Xherard pas asistit të Heskit. I vetëm përballë Hauard, kapiteni i Liverpulit nuk gabon dhe përshëndet rrjetën. Me gjithë disavantazhin amerikanët vazhdojnë të luajnë të qetë. Madje, ata shfaqen rrezikshëm në zonën angleze, mbi të gjitha nga goditjet standarde, duke përfituar disa pasiguri të mbrojtjes kundërshtare. Duke qenë se nga e majta Milner duket jashtë skemave të lojës, “Tre Luanët” e përqendrojnë lojën sulmuese nga krahu i djathtë, ku aktivizohen Xhonson dhe Lenon. Por, në të 40-n vjen edhe episodi që përcakton fatin e ndeshjes. Mbi të gjitha për gabimin fëmijëror të portierit Grin, të cilit i rrëshqet topi pas goditjes së Dempseit. Kapelo, që përkrah tij në stol kishte Devid Bekam të veshur me xhaketë, zhgënjehet dukshëm nga pakujdesia e “gardianit”.

Në fraksionin e dytë të lojës, Anglia kërkon golin e fitores, por lojtarët e kësaj skuadre janë të paqartë në fazën ofensive, ndërsa Runi qëndron në hije. Pavarësisht tentativave të britanikëve, në minutën e 65 është SHBA-ja ajo që e sheh veten pranë golit. Altidore shkëputet bukur nga e majta, por për fatin e tij të keq, gjuajtja e devijuar nga portieri Grin përplaset në traversë. Në anën tjetër tentativat e Lampard dhe Rajt-Filips gjejnë të gatshëm portierin Hauard, i cili nuk e lejon prekjen e rrjetës. Rezultati final i ndeshjes është 1-1, ndërsa sot në fushë për Grupin C do të zbresin Algjeria dhe Sllovenia, të cilat kanë shansin që të marrin përkohësisht kryesimin.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›