Joakim Lëv i kërkon Gjermanisë të poshtërojë rivalët në Afrikë
Trajneri i përfaqësueses gjermane, Joakim Lëv i ka kërkuar lojtarëve të tij që të poshtërojnë skuadrat rivale në Kupën e Botës 2010. Gjermania debuton sot në Afrikën e Jugut me sfidën përballë Australisë, ndërsa në Grupin D luajnë edhe Gana dhe Serbia. “Kërkojmë që të vëmë në siklet kundërshtarët me aftësitë tona në fushën e lojës”, deklaroi tekniku. “Në këtë moment që zhvillohet botërori, mendoj se nuk mund të kishim krijuar një grup më të mirë. Për këtë arsye, e kam ndërgjegjen të pastër dhe jam mjaft optimist rreth aktivitetit”. Lëv, i cili zëvendësoi Jurgen Klinsmanin pas Botërorit 2006, deklaroi se lojtarët janë përzgjedhur për të përmbushur ambiciet e një vendi që e ka fituar tri herë Kupën e Botës, ndërsa në katër raste të tjera ka humbur në finale. Gjermania ka shënuar tre gola në secilën prej miqësoreve përgatitore, duke fituar ndaj Maltës, Hungarisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. “Gjatë gjithë kësaj periudhe, skuadra është shfaqur entuziaste dhe e gatshme që të mësojë për t’u përmirësuar, shtoi ai. tashmë jemi përqendruar vetëm te disa gabime të vogla”. Pyetjes sa shanse ka skuadra në Afrikën e Jugut, trajneri iu përgjigj: “Jemi përgatitur mjaft mirë për këtë botëror”. Ndër të tjera, Lëv konfirmoi se sulmuesi i Bajernit të Mynihut, Miroslav Klose, që në dy edicionet e mëparshme ka shënuar nga pesë gola, ka shfaqur shenja se po arrin formën më të mirë fizike.
#