E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglia, certifikata ekselence për 38 nxënës

Sarandë Testi i matematikës u realizua në Shqipëri, u korrigjua elektronikisht

Plot 38 nxënës në shkollat e qytetit të Sarandës janë pajisur me certifikata ekselence. Dje, në ceremoninë e vlerësimit u dhanë medaljet e akorduara nga Universiteti “Leeds” në Angli.
38 nxënës, nga të cilët 10 nga shkolla 9-vjeçare “Adem Sheme”, 11 nga “9 Tetori”, 5 të shkollës së mesme jopublike “Dea 2001” dhe 12 të shkollës së mesme “Hasan Tahsni”, janë vlerësuar më të mirët në matematikë. Në mjediset e bibliotekës së shkollës “Adem Sheme”, në prani edhe të drejtuesve të shkollave 9-vjeçare e të mesme dhe të nxënësve fitues, përfaqësuesja e Akademisë “Thomas Deacom”, dr. Hilary Faulkner, koordinatore internacionale, ka shpërndarë për të 38 nxënësit e vlerësuar certifikata bronzi, argjendi dhe ari. Nxënësit pjesëmarrës nga tri shtete, Sllovakia, Shqipëria dhe Anglia, iu nënshtruan një testimi, në kuadër të një projekti ndërkombëtar. Për nxënësit e shkollave të Sarandës testimi u organizua në mjediset e filialit në Sarandë të Fakultetit të Ekonomisë. Në mënyrë elektronike janë nxjerrë dhe dërguar në Angli përgjigjet e secilit pjesëmarrës në test. Drejtoria e zyrës arsimore, Lina Vaso, në vlerësim të rezultateve të nxënësve fitues, tha se ato janë fryt i punës pasionante të mësuesve të tyre dhe të pasionit të tyre për dije sa më bashkëkohore. “është përzgjedhur shkolla ‘Adem Sheme’ për të organizuar takimin e shpërndarjes së certifikatave për nxënësit fitues, pasi kjo shkollë prej një viti është binjakëzuar me dy shkolla të Anglisë lindore”, ka sqaruar drejtorja Vaso. Emanuel Idrizi, nxënës i klasës së shtatë të shkollës 9-vjeçare “9 Tetori”, është vlerësuar nxënësi më i mirë, i cili ka marrë 120 pikë, nga 72, i vlerësuar gjithashtu me certifikatë ari. Ai tha se ka qenë puna e tij e diferencuar në matematikë, që e bëri të prekë këtë rezultat cilësor.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›