Gjendet në Durrës adoleshenti i humbur prej një jave
Policia e Durrësit ka gjetur 14-vjeçarin Leonard Lena, i cili ishte larguar nga shtëpia që nga data 26 maj. Sipas familjarëve të fëmijës, publikimi në media i lajmit për zhdukjen dhe fotos së djalit ka bërë të mundur edhe identifikimin e tij në një lokal në Durrës, ku ai kishte qëndruar gjatë gjithë kohës pas largimit nga shtëpia në fshatin Thumanë të Krujës. Sipas Ndue Lenës, babait të fëmijës, djali është gjetur në orët e mbrëmjes së të mërkurës dhe rreth orës 21:30 ai është thirrur nga Policia e Fushë-Krujës për të bërë verifikimin. “Rreth orës 21:30 më mori policia e Fushë-Krujës se duhet të paraqitesha në Komisariatin e Policisë së Durrësit. U nisa menjëherë për në Durrës dhe sapo mbërrita atje më thanë se kishin gjetur djalin. Nuk besoja pa e parë dhe menjëherë vajta në zyrën e shefit të komisariatit, ku takova tim bir. Drejtuesit e policisë së Durrësit më thanë se djali ishte larguar me dëshirën e tij nga shtëpia dhe ishte gjetur në një lokal në qytet, ku kishte gjashtë ditë që qëndronte”. Policia i ka treguar babait të djalit të humbur se pronari i lokalit e kishte ushqyer dhe mbajtur djalin, duke e parë që ishte vetëm dhe pa përkrahje dhe kishte njoftuar policinë vetëm kur kishte parë foton në televizione. “Mora Leonardin në orën 01:15 të natës nga Komisariati i Durrësit dhe u nisa për Thumanë. Lotët nuk më linin ta pyesja gjatë”, thotë Ndue Lena, i cili tregon gjithashtu, se i biri i ka kërkuar ta falë për “aventurën”. Djali i ka treguar se një natë kishte qëndruar në Krujë e më pas kishte vajtur në Durrës. Pronari i lokalit ku kishte qëndruar ishte treguar sipas tij shumë i mirë, e kishte mbajtur me bukë dhe i kishte premtuar se do ta punësonte gjatë verës për të shitur misra. “Por, falë ndihmës së policisë dhe mediave që u jam mirënjohës familjarisht, arrita ta gjej djalin dhe sot ta kemi në shtëpi”, thotë Ndue Lena. Ndërsa Leonardi, i rraskapitur nga aventura njëjavore si endacak, nuk është zgjuar nga gjumi deri në orën 13:00 të ditës së djeshme. Familjarët janë treguar tepër të kujdesshëm për të mos e lënduar, ndërsa në shtëpi njerëzit vinin vazhdimisht gjatë gjithë ditës, tani për të uruar.
#