E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohet plani për huamarrje të brendshme

Dështimi me eurobondet shtyn qeverinë të rrisë shitjet e bonove të thesarit

Ministria e Financave rishikoi në rritje planin e vet të huamarrjes për muajin qershor, pasi shpresat për të gjetur kredi të lira përmes emetimit të bondeve sovrane në euro duket se u fashitën. Qeveria pati publikuar disa muaj më parë planin për huamarrje të brendshme, ku për muajin qershor parashikohej shitja e 28.8 miliardë lekëve bono thesari dhe obligacione. Disa ditë më parë, Ministria e Financave publikoi një kalendar të ri ku parashikohet që në qershor të emetohen 30.95 miliardë lekë tituj borxhesh. Rritja me 2.15 miliardë lekë në planin e emetimeve, erdhi si pasojë e nevojës për financime shtesë nga tregu i brendshëm, pas dështimit të planit për emetimin e eurobondeve.

Pasojat tek interesat

Duke parashikuar rritjen e nevojës për borxhe nga ana e qeverisë, investitorët në tregun e borxhit të brendshëm hodhën oferta të dobëta në ankandin e fundit të zhvilluar më 1 qershor, gjë që solli rritjen e lehtë të interesave në krahasim me ankandin paraardhës. Banka e Shqipërisë shiti 31.1 miliardë lekë bono thesari me maturitet 12-mujor dhe me interes mesatar të ponderuar prej 7.91 për qind. Në ankandin paraardhës të zhvilluar në 18 maj, interesi mesatar i pranuar qe 7.89 për qind. Rritja prej 3 pikësh bazë mund të konsiderohet e papërfillshme, por sipas ekspertëve, ajo shënoi një pikë kthese. Interesat e bonove patën rënë vazhdimisht që nga dhjetori i kaluar kur qenë 9.4 për qind, ndërsa në ankandin e 1 qershorit, kjo tendencë u ndal. Bankat që veprojnë në Shqipëri dhe që kanë edhe rol dominues në tregun e borxhit të brendshëm patën paralajmëruar prej kohësh se interesat e bonove varen nga fati i emetimit të eurobondeve. Ministri i Financave, Ridvan Bode, kritikoi dy ditë më parë publikisht Bankën e Shqipërisë, duke kërkuar interes më të ulët bazë, gjë që mund të përkthehet në kosto më të ulët të shërbimit të borxhit publik për qeverinë. çdo vit, qeveria paguan rreth 30 miliardë lekë interesa për borxhin e brendshëm. Ndryshimi i interesit të bonove të thesarit me 1 për qind, e ul ose e rrit koston e shërbimit të borxhit me 2-3 miliardë lekë në vit.

Më pak para për kreditim

Rritja e huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm sjell automatikisht më pak para në dispozicion të kreditimit të ekonomisë së gjerë, gjë që përkthehet në interesa më të larta. Vitin e kaluar, nën presionin e krizës ndërkombëtare, qeveria tërhoqi rreth 50 milionë euro borxhe nga bankat me interes prej euribor plus 9.65 për qind, ndërkohë që interesi mesatar i kredive për shtëpi, në atë kohë qe vetëm 7 për qind. Qeveria shqiptare planifikonte këtë vit të tërhiqte në tregun ndërkombëtar 300-400 milionë euro, nga të cilat 200 milionë do t’i përdorte për të shlyer një kredi të marrë më herët, ndërsa pjesën tjetër prej 100-200 milionë do ta përdorte për mbulimin e shpenzimeve buxhetore të këtij viti. Në rast se qeveria i drejtohet tregut të brendshëm për të zëvendësuar planin e dështuar me eurobondet, ekspertët parashikojnë rritje të fortë në interesat e borxhit publik, por edhe në interesat e kredive që u ofrohen bizneseve dhe qytetarëve.

Buxheti në vështirësi

Qeveria ka nisur në heshtje punën për të rishikuar buxhetin e këtij viti me synim të uljes së shpenzimeve. Në janar, me një vendim qeverie u ngrinë 30 miliardë lekë shpenzime, (rreth 240 milionë euro), ndërsa tani po punohet për t’i anuluar tërësisht. Plani i të ardhurave buxhetore për periudhën janar-prill të këtij viti, u realizua në masën 92 për qind. Në rast se e njëjta tendencë vijon deri në fund të vitit, atëherëë shuma prej 30 miliardë lekësh mund të jetë e mjaftueshme për të mbuluar deficitin në të ardhura. Por qeveria mund të hasë probleme shtesë nga tejkalimi i planit të shpenzimeve në disa projekte me peshë të rëndë, si rruga Rrëshen-Kalimash. Tuneli i Thirrës ka kushtuar deri në prill 2.1 herë më shumë nga sa qe parashikuar të kushtonte për të gjithë vitin 2010.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›