Anglia duhet të prodhojë Xavi

Rodgers ka bërë një nismë të vështirë të aventurës së tij në bankinën e gjigantit nga Anfield Roadi duke konfirmuar se stili i lojës së tij me pasime kërkon kohë para se të aplikohet siç duhet nga skuadra e Merseyside.
Rodgers, nga Irlanda e Veriut, ka treguar se taktika e tij e lojës bazohet në mesfushorë të shkathtë, derisa përmendi Joe Allenin dhe yllin e ri të Arsenalit, Santi Cazorla, si “dy prej futbollistëve më të mirë në Premierligë nga aspekti teknik”, pas humbjes nga londinezët në fundjavën e shkuar.
Por, loja e tij me pasime dhe dominim në posedim kërkon aplikim nga futbollistë me karakteristika të posaçme, e që kryesisht janë anëtarë të shteteve të huaja, në veçanti Spanja, Brazili dhe Gjermania.
“Kam qenë shumë me fat gjatë karrierës sime si trajner. Kam punuar me fëmijë nga mosha 5 vjeç që kanë arritur të bëhen yje të futbollit evropian. Por, për mua, futbollistët e shteteve të huaja evropiane janë më të aftë nga aspekti teknik se ata britanikë. Për këtë arsye duhet të mundohemi të prodhojmë futbollistë të aftë të luajnë mirë teknikisht, lojtarë si Xavi”, deklaroi Rodgers për Sky Sports News.