E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, kundërshtar i fortë

Selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld ka filluar të mendojë për sfidën e rëndësishme ndaj Shqipërisë, në kualifikimet për Botërorin ‘Brazili 2014’, pas fitores së madhe që e arriti në Lubjanë ndaj Sllovenisë. Trajneri gjerman e ka lavdëruar ekipin shqiptar, por shton se helvetikët duhet ta fitojnë edhe këtë përballje, në mënyrë që të mbeten në kreun e tabelës.

“Shqipëria është një ekip që luan mjaft mirë teknikisht dhe mbrohet mirë. Pastaj, ka shumë tifozë që do të jenë të pranishëm në stadium dhe nuk ka se çka të humbë. Ne do të përgatitemi për ta kontrolluar situatën në stadium. Uroj që zëri i Zvicrës të jetë i fuqishëm”, ka thënë ish-trajneri i Bayern Munichut për uebfaqen 20min.ch.

“E kam thënë gjithmonë se është një grup i ekuilibruar. Me fitoren e Islandës ndaj Norvegjisë, pritjet nuk ishin kështu. Pastaj, isha i habitur me fitoren e shqiptarëve ndaj Qipros. Do ta preferoja dhe e prisja një barazim. Si skuadër, e dimë se nuk mund ta nënvlerësojmë asnjë kundërshtar dhe duhet t’i respektojmë të gjithë. Nuk ka ekipe të dobëta më. Duhet t’i arrijmë objektivat tona dhe të fitojmë”, vazhdoi ai.

Hitzfeld është ndalur të flasë për futbollistët shqiptarë që luajnë në përfaqësuesen zvicerane. Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Admir Mehmedi, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, janë pesë futbollistët shqiptarë që do t’i mbrojnë ngjyrat e helvetikëve në përballjen e së martës mbrëma në Luzern. “Për disa nga lojtarët, kjo është një lojë e vështirë në aspektin emocional. Unë tashmë kam biseduar me skuadrën dhe me lojtarët, individualisht. Çdo gjë është në rregull”, përfundoi Hitzfeld.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›