Butrinti zbulon fosilet e Partizanit brenda në kryeqytet
Të kuqtë e kryeqytetit kanë zhgënjyer në Selman Stërmasi, pasi janë mundur 3-0 nga sarandjotët, humbje e cila i preu në besë tifozët
Nga ILIR CARA
PARTIZANI BUTRINTI 0-3
Shënues: Muço 13, 90+3(11-m), Osmani 61
Partizani: Pavlloviç, Duqi, Hithi, Rënxa, Xaka (Pashaj 46), Roshi (Sulçe 46), Lini, Tafa, Braho (G. Gjoka 66), Karakaçi, Buliq. Trajner: N. Çoçlli
Butrinti: Demi, Xhuvani, Xhibro (Batha 32), Alzeneli, Rapa, Dalipaj, S. Gjoka, Muço, Dorti (Nela 73), Papa (Bazaj 83), Osmani. Trajner: A. Bedini
Gjyqatarë: L. Alla, D. Koreshi (Lushnje), A. Lisaku (Durrës)
Kartonë të verdhë: Braho, Karakaçi, Pashaj / Demi, Xhuvani, S. Gjoka
Para ndeshjes me Butrintin, trajneri i të kuqve Nikolin Çoçlli, pohoi se ky takim do të jetë më i vështirë se ai që kaluan në Velipojë, kryesisht për faktin se ky ekip ka zgjuar shpresën e tifozëve, kështu që ata duhet të mbahen gjallë. Por, ajo që ka ndodhur dje në Selman Stërmasi do të mbetet si njollë në historinë e Partizanit, pasi skuadra që përfaqëson këtë emër është mundur 3-0 nga Butrinti. Çdo gjë mund të thuhej, por ajo që u pa dje në Selman Stërmsi nuk ka lidhje me të ashtuquajturin Partizani i rikthimit, por thjeshtë me një grup që i bën shëtitje uniformës së kuqe në fushën e blerët të lojës. Pra ndaj Butrintit nuk u pa Partizani i shumëpritur por fosilet e legjendës, të cilat u zbuluan nga ekspedita arkeologjike sarandjote. Partizani i djeshëm në vend që të mbante gjallë shpresën e tifozëve, me atë humbje turpëruese e ka thelluar distancën. Pakënaqësia e tifozëve ka qenë e dukshme, pasi një pjesë e tyre e braktisën stadiumin parakohe. Takimi nis bukur për të kuqtë dhe u mendua se fitorja do të ishte formalitet, por janë sarandjotët që në minutën e pestë japin sinjalin e parë me Papën. Pas kësaj minute miqtë marrin frenat e lojës duke qenë më të qartë në veprime dhe e spostuan lojën në zonën e Partizanit. Në minutën e 13-të kapiteni i Butrintit, Dhiogjen Muça, shënon një gol të bukur, pas një goditje nga një distancë rreth 25 metra, 0-1. Sarandjotët ndonëse janë në avantazh ruajnë ritmin dhe kontrollin e lojës, ndërsa Partizani i falet rasteve sporadike. Të kuqtë mbeten anemikë në çdo veprim dhe pjesa e parë mbyllet me rezultatin 0-1. Pjesa e dytë nis me dy ndryshime për Partizanin, ku në lojë futen Sulçe dhe Pashaj. Minutat e para janë për të kuqtë, por pa rezultat. Kur mendohej se do të vinte goli i barazimit, në minutën e 61-të me anë të një kundërsulmi sarandjotët i zënë në befasi. Osmani hyn në zonë dhe hedh një top mbi portierin dhe shënon golin e dytë, 0-2. Në minutën e 65-të kemi një gabim të portierit Demi të Butrintit në largimin e topit, por Karakaçi nuk e shfrytëzon si duhet. Partizani mundohet të rrezikojë me të gjitha mënyrat, kryesisht me goditje standarte, por të kuqve u mungon finalizimi. Në minutën e 92-të mbrojtësi Rënxa i Partizanit prek me dorë topin dhe gjyqtari akordon 11-metërsh, të cilin një minutë më vonë e ekzekuton kapiteni Muço dhe shënon golin e tretë për Butrintin dhe të dytin personal. Gjithçka mbyllet 0-3 dhe me atë që u pa dje në Selman Stërmasi Partizani nuk është ende gati për të bërë kthesën e madhe.
Humbja i mbyll në vetvete të kuqtë, heshtje për mediat
Pas humbjes me Butrintin deklaratat e të kuqve kanë qenë me pikatore, pasi askush nuk donte të prononcohej. Në përfundim të ndeshjes presidenti Lulëzim Sallaku thjesht ka preferuar të japë një frazë të shkurtër: Çfarë të themi, futbollistët duhet ta marrin vetë me mend se çfarë kanë bërë. Trajneri Çoçlli e ka përjetuar keq dhe për minuta të tëra ka mbetur i ulur në pankinë. Me gjithë insistimin e të deleguarit të FSHF-së, Besnik Çela, të kuqtë nuk janë paraqitur në konferencë për shtyp. Madje ka pasur edhe një reagim të aksionarit Paro Laçi, që mban edhe postin e shefit të klubit, i cili insistimit të Besnik Çelës iu kthye: Mirë që na ngordhi kali, por nuk na lenë rehat edhe mizat. Erdhe dhe na the që të ndihmojmë gjyqtarin në mbarëvajtjen e lojës dhe ai bëri çfarë deshi, ku na penalizoi në disa raste. Imagjinoni se çfarë mund të ndodhë në rrethe.
Trajneri Bedini: Ndaj Partizanit, Butrinti shpërbleu punën e bërë
Dua të falënderoj të gjithë futbollistët për atë që kanë dhënë në fushën e lojës dhe për fitoren. Ishte një ndeshje që e kishim përgatitur mirë dhe morëm frytet. Partizani është një emër i madh në futbollin shqiptar, megjithatë ne mendoj se luajtëm më mirë dhe merituam gjithçka. Prisnim të fitonim me Kamzën, por futbolli kështu e ka, fitorja edhe ndaj Partizanit. Synimi ynë është të sigurojmë mbijetesën sa më shpejt të jetë e mundur dhe më pas të aktivizojmë futbollistët e ekipeve zinxhir në mënyrë që ti kemi një garanci për të ardhmen, ku pse jo edhe ne të kemi synime më të mëdha, sigurisht në të ardhmen.
Të veçanta
- Pragndeshja ishte festive,organizim perfekt, ku për futbollistët u shpërndanë tufa me lule, dhe stadium kishte muzikë. Si rrallë herë kishte protokoll ndeshje të gatshëm për çdo gazetar, ndërsa topin e parë të takimit e shkelmoi ish-sulmuesi i Partizanit, tani pjesë e stafit,Ylli Shehu.
- Të pranishëm në tribun Vip ndodheshin drejtuesit e të klubeve dhe disa figura të sportit shqiptar, kryesisht ish-partizanas. Numri i tifozëve të pranishëm ishte rreth 1500 vetë, prani më e pakët se në sezonin e shkuar kur Partizani luante në Kategorinë e Dytë.
- Mendohet se kjo humbje e thellë e Partizanit do të sjellë furtunë në radhët e të kuqve, ku sipas zërave që qarkullonin, flitet se do të ketë ndryshime dhe penalizime. Por si në të gjitha rastet kur ka humbje në plan të parë dalin zërat për lëshim, gjë e cila u përfol edhe dje.
